E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK-ja kërkon shpjegime nga FIFA

Federata e Futbollit e Kosovës e ka nisur të enjten një letër në selinë e FIFA-s, drejtuar presidentit të këtij asociacioni, Sep Blater, sekretarit të përgjithshëm, Zheromi Valke dhe Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, pasi ky i fundit javën e kaluar refuzoi kërkesën e FFK-së për anëtarësim në FIFA.

Në letrën e FFK-së drejtuar krerëve të FIFA-s, thuhet: “Fillimisht duam t'jua shprehim pakënaqësinë tonë në lidhje me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, sa i përket kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës për pranim në FIFA. Ne kemi pritur një qasje shumë më serioze në aplikacionin tonë për anëtarësim në FIFA.

 Ju lutem na sqaroni, se si Republika e Kosovës, sipas standardeve tuaja, nuk është e njohur si shtet i pavarur dhe sovran, kur ajo në fakt është e pranuar nga bashkësia ndërkombëtare (deri më tash Kosova është pranuar nga 51 shtete, si shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo njohje është duke vazhduar).

Vendimi i KE të FIFA-s për të mos lejuar Kosovën të luajë ndeshje miqësore është kundër misionit të FIFA-s dhe parimeve të saj. Ky vendim definitivisht nuk është “Për të mirën e lojës” dhe as “Për të mirën e botës”. Neni 79, pika 1 nuk e ndalon asnjë skuadër kombëtare për të luajtur ndeshje miqësore, përkundrazi ai thotë se vetëm ju nevojitet leja nga FIFA.

Në rastin tonë FIFA ka marrë një vendim administrativ se skuadra kombëtare e Kosovës nuk mund të luajë lojëra miqësore. Si ta kuptojmë këtë dhe si t’ua shpjegojmë qindra mijëra tifozëve të futbollit, që na pyesin rreth kësaj çështjeje çdo ditë. Ne këtë nuk e shohim ndryshe përveç si diskriminim të futbollistëve të Kosovës, klubeve të saj dhe tifozëve.

Kërkesa jonë tjetër ishte njohja e certifikatës ndërkombëtare për transferim të futbollistëve (ITRC), në mënyrë që futbollistët e Kosovës dhe klubet e saj të mbrohen dhe të mos shfrytëzohen vazhdimisht nga të tjerët. Ka me qindra futbollistë të Kosovës që luajnë në tërë botën, sidomos në Evropë.

Kush tjetër përpos FFK-s duhet ta lëshojë atë certifikatë për këta lojtarë. Le t’ua përkujtojmë se FFK ishte anëtar i barabartë i Federatës jugosllave të futbollit, që nga viti 1946, siç ishte Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Vojvodina. Lojtarët dhe klubet tona në mënyrë indirekte ishin anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s.

Zoti president, ne i respektojmë përpjekjet tuaja për promovimin e misionit të futbollit në kontinente dhe vende, si Afrika, Azia (për shembull në Palestinë etj), por nuk mund të kuptojmë pse Kosova, shteti më i ri në botë (në zemër të Evropës) me traditë për futboll, nuk mund të jetë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, për shkaqe për të cilat ne besojmë që janë politike. Me këtë vendim të KE të FIFA-s, futbolli i Kosovës mbetet “geto e futbollit" në mes të Evropës.

Ne jemi të përkushtuar që FFK-ja të pranohet si anëtar i barabartë në FIFA dhe UEFA, sepse kjo është e drejta jonë legjitime. Shumë herë deri më tash ne kemi kërkuar një takim me ju, për ta shprehur qëndrimin tonë rreth kërkesës për anëtarësim dhe për çështje të tjera, por, për fat të keq, kurrë s’kemi marrë përgjigje. Kërkojmë një takim urgjent me ju”.

E Premte, 31 Tetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›