E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIA: Motor unik në F1 dhe në kategori të tjera

Maks Mosli ka lëshuar provokimin e fundit ndaj konstruktorëve të mëdhenj: motor i njëjtë në Formula 1, por edhe në kategori të tjera të garave me makina. Presidenti i FIA-s do ta bëjë këtë propozim në mbledhjen e Këshillit Botëror më 29 prill, duke paraqitur një projekt të realizuar disa muaj më parë nga "Ricardo Shoreham Technical Centre". Kjo kompani, mjaft e njohur në sportet e automobilizmit, e ka fituar reputacion me dizajnin, ndërtimin dhe zhvillimin e Audit, që ka dominuar edicionet e fundit të garës 24-orëshe në Lë Man. Një lëvizje, e cila padyshim do të shkaktojë pakënaqësi, pasi skuadrat që janë dakord të garojnë me buxhet të kufizuar (afro 33 milionë euro në sezon sipas propozimit të FIA-s), do të furnizohen me një motor me kosto të ulët. Nga deklaratat për luftë, me realizimin e këtij projekti, tashmë Mosli e ka kthyer në realitet atë që ishte vetëm një ide dhe rrezikon të krijojë një tjetër krisje mes skuderive. Në anë të kreut të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit do të rreshtohen skuadrat e vogla, ndërsa kundër tij do të jenë konstruktorët e mëdhenj, ata që garojnë prej shumë vitesh, duke shpenzuar shifra marramendëse. Këta të fundit (me të drejtë), as që kanë ndërmend të zbresin në pista me motorin e prodhuar nga dikush tjetër. "Big"-ët do të shprehen kundër, edhe sepse nuk mund të largojnë mijëra njerëz nga puna sa hap e mbyll sytë, vetëm për një tekë të presidentit Mosli.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›