Laçianët mbrojnë kreun mes tensionit
Laçi mbron kreun në Kategorinë e Parë, pas fitores 2-0 me Burrelin dhe ngjiten në kuotën e 59 pikëve. Takimi është shoqëruar nga momente nervozizmi, madje loja është ndërprerë për afro 12 minuta, pas një sherri në fushë. Gjithçka erdhi pas goditjes së një prej lojtarëve miq ndaj kundërshtarit. Skënderbeu shmang hapin fals me Turbinën, duke fituar 4-2. Korçarët e drejtuar nga Indrit Fortuzi qëndrojnë në vendin e dytë, me një pikë më pak se laçianët. Kastrioti dhe Gramozi nuk shkëputen nga ëndrra për t‘u ngjitur në Superiore. Krutanët tronditën 6-1 Adën, ndërsa skuadra nga Erseka mposhti 4-2 Pogradecin. Skrapari fiton 2-0 në fushën e tij me Naftëtarin, ndërsa Besëlidhja merr tri pikët e plota në fushën e Dajtit. Humbje surprizë 3-0 për Luftëtarin në fushën e modestëve të Bilisht Sport.