FSHF, "intervista" me tetë trajnerë
Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar zyrtarisht "intervistat" me trajnerët e interesuar për të marrë drejtimin e Kombëtares. Takimi i parë ka ndodhur të premten, menjëherë pas udhëtimit urgjent drejt Vjenës. Me ndërmjetësinë e avokatit shqiptar, Skënder Fani, 24 orët e para në kryeqytetin austriak janë shfrytëzuar për t‘u takuar me njërin prej kandidatëve. Më e ngarkuar ka qenë dita e djeshme, kur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe dy zëvendësit e tij, Bujar Kasmi e Lutfi Nuri, kanë biseduar me katër trajnerë. "Të premten, drejtuesit e federatës u diskutuan me njërin prej kandidatëve për ekipin Kombëtar, ndërsa sot (dje) ata zhvilluan katër takime të tjera", pohuan burime pranë institucionit që drejton futbollin në vend. "Rrethi është ngushtuar dhe prej alternativave me të cilët po zhvillohen takime, do të zgjidhjet pasardhësi i holandezit Ari Han. Përveç se po shqyrtohen kërkesat financiare të secilit, FSHF ka parashtruar kushtet e saj për trajnerin e ri. Ai duhet të punojë me skuadrën gjatë tri viteve të ardhshme dhe është e domosdoshme që të kalojë pjesën më të madhe të kohës në Shqipëri, për të ndjekur nga afër çdo zhvillim, si dhe për të mbajtur nën vëzhgim lojtarët e kampionatit. Takimet e mbetura në eliminatoret e Botërorit 2010 dhe miqësoret që po sigurohen do të shërbejnë që drejtuesi i ri i stolit, të përgatisë skuadrën për Euro 2012". Edhe dita e sotme pritet të jetë intensive për krerët e "qeverisë" së futbollit, pasi janë planifikuar negociata të drejtpërdrejta edhe me tri alternativa të tjera për përfaqësuesen. Ndërkohë, për sa i takon emrave të trajnerëve, ata vazhdojnë të mbahen sekret.