E Shtunë, 31 Tetor 2026

Truli në "pole", Tojota dominon

Jarno Truli do të niset nga "pole position" në Çmimin e Madh të Bahrejnit, gara e katërt e Botërorit 2009 në Formula 1. Për pilotin italian kjo është hera e katër në karrierë që fiton vendin e parë në provat zyrtare. 34-vjeçari ka regjistruar xhiron më të shpejtë, me kohën 1‘33"431. Në anën tjetër, Tojota është paraqitur si skuadra dominuese në cirkuitin e Sakhirit, duke "pushtuar" vijën e parë të nisjes. Pas Trulit është pozicionuar gjermani Timo Glok, vetëm tre të dhjetat më i ngadaltë se shoku i tij i skuadrës. Pas dy pilotëve të prodhuesit japonez ndodhen Sebastian Fetel (Red Bull) dhe Xhenson Baton (Braun GP), dy protagonistët kryesorë të këtij fillim sezoni. Vetëm vendi i pestë për kampionin e botës në fuqi, Luis Hemilton, ndërkohë që Ferrari ka shfaqur shenja përmirësimi: Masa do të niset nga vendi i tetë, ndërsa Raikonen i dhjeti. Gjithsesi, "kokëkuqja" vazhdon të qëndrojë larg luftës për vendet e para.

Vendi i parë në Bahrejn është mjaft i veçantë për Trulin. Makina e tij ka pasur disa probleme gjatë provave, por falë këmbënguljes, italiani arriti të pozicionohej i pari, pas Montekarlos e SPA-së në vitin 2004 dhe Indianapolisit në 2005-ën. Në garën e sotme, piloti "veteran" dhe Tojota kanë shansin që të tregojnë të gjithë forcën. Truli shijon suksesin dhe këtë "pole" ia dedikon vendlindjes, Abrucos (së goditur nga tërmeti). Ai tha: "Dy vendet e para në provat zyrtare janë një rezultat i rëndësishëm për Tojotën. U detyrova të mbaja më shumë benzinë në makinën time, sepse kisha probleme me pompën dhe me frenat. Gjithsesi, në fund ia dola mbanë. Është një ndjesi shumë e bukur". Tani, objektivi i Trulit është podiumi: "E dija që makina është e mirë. Nisja nga vendi i parë më favorizon për garën". Megjithatë, Red Bull dhe Braun GP qëndrojnë të gatshme për të goditur. "Makinat Tojota ishin shumë të shpejta, gjithsesi duhet të presim për të nxjerrë përfundime, pasi gara është e gjatë", deklaroi Fetel. Lideri i kampionatit, Xhenson Baton, pranon problemet te skuadra e Ros Braun. "Nuk kemi më ritmin e garave të para. Tojota dhe Red Bull duken më të shpejta", tha britaniku. "Patëm mjaft vështirësi dhe tani na pret një garë e vështirë. Mendoj se makina paraqitet më mirë kur ka shumë benzinë në serbator, megjithatë nuk kemi luksin të vonohemi më shumë në ‘pit-stop‘ se kundërshtarët". Fernando Alonso me Renault është i shtati, përpara Masës, por braziliani i Ferrarit shprehet i bindur se nga Bahrejni nuk do të dalë duarbosh. Surpriza negative e provave të djeshme ishte Mark Veber. Piloti i dytë i Red Bull u penalizua nga trafiku në pistë dhe është i 18-ti. Gjatë kualifikueseve të para, BMW e Robert Kubikas mori flakë, duke bërë që polaku mos të shkonte më lart se vendi i 13-të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›