E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vrasja pas 9 vitesh

 

VLORE – Prangoset pas 9 vitesh i kërkuari për vrasje. Genci Aliraj, 38 vjeç akuzohet se më 5 qershor të vitit 1999, në lagjen “Osman Haxhiu” të Vlorës ekzekutoi me pistoletë Albert Hoxhën. Vetëm 7 muaj më parë u rihap dosja për këtë ngjarje të rëndë, duke arritur në zbulimin e saj. Sipas Prokurorisë, krimi kishte ndodhur në shenjë hakmarrje, pasi Alirajt i kishin vrarë një vëlla në vitin 1995. Policia e kishte zbardhur ngjarjen, duke e dënuar në mungesë autorin, ndërsa vëllai i viktimës mori hak te vëllai i atentatorit. Deri në pranverë të këtij viti, dosja e vrasjes së Albert Hoxhës kishte mbetur pa autor. Por, në sajë të teknikave të hetimit dhe dyshimeve mbi Genci Alirajn, u arrit identifikimi i tij si autor i krimit 9 vite më parë. Ndaj tij, Gjykata e Vlorës kishte dhënë vendimin e arrestit me burg në mungesë, i cili u ekzekutua dje. Pritet që Aliraj të përballet me akuzën e vrasjes në Gjykatën e Vlorës.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›