E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA, 2.1 miliardë euro përfitime nga Botërori 2010

FIFA, "qeveria" e futbollit botëror do të përfitojë 2.1 miliardë euro (2.7 miliardë dollarë) nga të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të Botërorit 2010. Organizatorët konfirmuan shifrat për evenimentin që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut, nëpërmjet drejtorit televiziv të FIFA-s, Niklas Erikson, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Johanesburg. Gjithsesi, audienca pritet që të jetë e njëjta si në Kupën e Botës 2006 në Gjermani, kur faza finale u ndoq nga afro 26.3 miliardë persona dhe u transmetua në 214 shtete të ndryshme. "Shifrat e Botërorit 2010 pritet të jenë pak a shumë të njëjta me ato të aktivitetit në Gjermani", pohoi Erikson. "Nuk presim që në Afrikë të vendoset një rekord për sa i takon transmetimit, edhe sepse në pjesën më të madhe të këtij kontinenti ndeshjet do të jepen falas. E kemi të vështirë të parashikojmë ngritje apo ulje në shikueshmëri, gjithsesi shpresojmë që në çdo vend të ketë pak rritje". Audienca mund të arrinte nivele të kënaqshme vetëm nëse vende si Kina, India dhe Indonezia, do të luanin në fazën e grupeve, por të tria këto Kombëtare janë eliminuar. Për herë të parë, FIFA ka bërë të mundur që ndeshjet të ndiqen direkt nëpërmjet telefonave celularë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›