FIFA: Ndeshja Irlandë-Francë nuk mund të përsëritet
FIFA ka hedhur poshtë kërkesën e Irlandës për një përsëritje të ndeshjes me Francën, për shkak se goli i kualifikimit të Gjelave erdhi pas një kontrolli të qartë me dorë. Në një komunikatë të publikuan në uebsajtin e saj zyrtar, FIFA ka shpjeguar se “rezultati i ndeshjes nuk mund të ndryshohet dhe ndeshja nuk mund të përsëritet”. “Siç e thotë rregullorja, vendimet e marra nga një arbitër gjatë ndeshjes janë përfundimtare”, ka bërë të ditur FIFA. Federata Irlandeze dhe kryeministri i këtij vendi Brajan Kouen kërkuan që ndeshja të luhej sërish, duke sjellë edhe një precedent të vitit 2006 mes Uzbekistanit dhe Bahreinit. Ndërkohë, FIFA ka lënë të kuptohet se ndaj Henri mund të hapet një procedim disiplinor, nëse Komisioni i Disiplinës në këtë institucion do ta shikojë të arsyeshme të përdorë pamjet filmike. Në lidhje me dënimin ose jo të arbitrit, FIFA ka sqaruar se vendimet e tij gjykohen gjithnjë, por kjo është një procedurë normale që nuk u bëhet e ditur mediave. Reagimi i parë pas komunikatës së FIFA-s ka qenë ai i vetë Tieri Henri, që është shprehur se vendimi më i drejtë do të ishte që ndeshja të përsëritej. “Unë nuk kam asnjë fuqi, por ndoshta kështu do të ishte më mirë , - tha sulmuesi i Barcelonës. – Ndjehem në siklet për mënyrën se si fituam dhe më vjen keq për irlandezët, që e meritonin të shkonin në Botëror”, deklaroi Henri.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)