E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte e shkelma në këshillin bashkiak për kreun e Sopotit

Të paktën dy këshilltarë të Bashkisë së Librazhdit janë gjakosur gjatë një mbledhjeje ku ishte parashikuar të përcaktohej presidenti i klubit të futbollit të këtij qyteti. Mbledhja e këshillit bashkiak në qytetin lindor të vendit, që duhej të emëronte drejtuesin e ri të Sopotit, për të ndihmuar skuadrën në garën për mbijetesë në Kategorinë e Parë ka përfunduar me grushte e shqelma. Ashtu siç ndodh rëndom në sportin shqiptar, gjithçka ka lindur për shkak të bindjeve dhe statusit të ndryshëm politik të kandidatëve. Protagonisti kryesor i dyluftimit mes këshilltarëve ka qenë përfaqësuesi i PD-së, Florian Haxhiu, që në të kaluarën ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Zyrës Arsimore. Ai ka gjuajtur me grushte nënkryetarin Fatmir Ozuni. "Jemi dakord që Refik Kumria të vijë President i ekipit të Sopotit, sepse Librazhdi të vetmin sport ka futbollin", janë shprehur këshilltarët e Partisë Demokratike. Pikërisht këtu ka "plasur" edhe sherri. Sapo janë kërkuar shpjegime nga këshilltarët socialistë, këshilltari i PD-së, Florian Haxhiu, ka ushtruar presion dhe dhunë për miratimin e Refik Kumrisë si president të ekipit të futbollit të Librazhdit.

Në argumentet e përdorura nga opozitarët, të cilët e kanë hedhur poshtë "kandidatin e PD-së", ata e cilësuan Kumrinë si dështak në periudhën kur drejtonte Elbasanin dhe të lidhur me fije të dyshimta në kompani karburantesh. Në anën tjetër, përfaqësuesit demokratë kanë ngulur këmbë për emërimin e tij, duke e motivuar zgjedhjen e tyre me faktin se Kumria është "i kamur" dhe i vetmi në gjendje financiarisht që të nxjerrë skuadrën e Librazhdit nga bataku ku ka rënë. Mbledhja e këshillit ka degjeneruar në grushte dhe shqelma, ndërsa zgjedhja e presidentit të skuadrës u harrua.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›