E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA e UEFA vizitojnë Tiranën pas konfliktit FSHF - Pango

Autori i Lajmit: red.
Ka nisur punën komisioni katërpalësh i FIFA-s, UEFA-s, Ministrisë së Sporteve dhe Federatës së Futbollit, që do t u japë zgjidhje problemeve të mbetura pezull që nga koha e konfliktit të madh që përfshiu futbollin shqiptar me shtetin. Shefi i zyrës juridike të UEFA-s, Marsel Benc, delegatja Eva Paskuer dhe drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi, janë takuar me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit në zyrat e kësaj të fundit. Ideja për këtë komision katërpalësh lindi në momentin e zgjidhjes së konfliktit mes shtetit shqiptar dhe FIFA-s në muajin prill. Bisedimet do të çojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë, sidomos në aspektin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë financiare të futbollit në Shqipëri. Sidomos ligji për të drejtën televizive të kombëtares, do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve. Palët nuk kanë pranuar të bëjnë komente, duke e quajtur punën e komisionit si të aspektit teknik dhe që do të çojë në rregullimin e kuadrit ligjor. Të shtunën, takimi do të vijojë me përfaqësues të Ministrisë së Financave, e cila gjithashtu ka objeksionet e saj në mënyrat se si ndahen paratë nga e drejta televizive apo taksat e ndryshme që lidhen me futbollin.
Takimi me Pangon
Një delegacion i nivelit të lartë të UEFA-s pritet t i japë fund konfliktit disavjeçar mes Federatës dhe Ministrisë, pas një takimi me ministrin Pango. Zëvendëspresidenti Senes Erzik dhe delegatja e FIFA-s, Eva Paskuer, do të diskutojnë në lidhje me çështjet e fundit që kanë mbetur pezull nga konflikti. Bëhet fjalë për nenin 53, për të cilin duhet gjetur një formulim i saktë, por edhe për gjëra të tjera.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›