E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA i bënë të lumtur kosovarët

(E plotësuar) Gëzim më të madh në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) sesa që pati të martën, prej vitesh nuk ka pasur.

Kjo pasi Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, pas shumë zvarritjeve, më në fund e aprovoi kërkesën e FFK-së që të lejohet për t’i organizuar ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës dhe klubeve të saj.

Ky lajm u konfirmua edhe në ueb faqen zyrtare të shtëpisë së futbollit botëror. “Komiteti Ekzekutiv e ka aprovuar kërkesën e FFK-së që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore në përputhje me artikullin 79 të Statutit të FIFA-s”, shkruhet në fifa.com.

Kjo i është kumtuar edhe kreut të FFK-së, Fadil Vokrri, nëpërmjet telefonit nga një koleg shumë i afërt i presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter. Menjëherë pas kësaj, Vokrri e organizoi një konferencë për media dhe në fund të saj festoi me kolegët e tij dhe gazetarët e ftuar.

Në konferencë Vokrri potencoi se FIFA thuajse përfundimisht e njohu Kosovën. Sipas tij, aprovimi i kësaj kërkese të FFK-së është akti i parafundit i anëtarësimit të plotë të saj në FIFA e UEFA.

“Ky është hapi tjetër shumë i madh drejt anëtarësimit të FFK-së në FIFA e UEFA. Definitivisht, ky është akti i parafundit i pranimit të plotë të FFK-së. Jam i bindur se ndërkombëtarizimi i plotë i yni do të ndodhë shumë shpejt”, u shpreh Vokrri i emocionuar.

Sipas tij, kjo është një fitore e madhe e gjithë shtetit të Kosovës, pasi vendi ynë tash e tutje do të ketë mundësi që të bëjë emër nëpër botë posa ekipi kosovar ta zhvillojë ndonjë miqësore ndaj ndonjë kombëtareje të njohur botërore.

Një ndeshje të fundit të tillë përfaqësuesja e Kosovës e pati zhvilluar ndaj Arabisë Saudite, të cilën e pati mposhtur me rezultat 1:0 në vitin 2009 në Turqi. Por, kur dhe ku do ta zhvillojë ndeshjen e radhës, respektivisht të parën pas marrjes së lejes nga FIFA?

“Tani për tani nuk mund të them asgjë. Por, dëshira e imja është që sa më shpejt ta zhvillojmë një ndeshje atraktive ndaj ndonjë kombëtareje të njohur, edhe atë në vendin tonë, pasi të gjithë jemi të etur për kësi ndeshjeje”, tha Vokrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›