E Hënë, 2 Nëntor 2026

Van Nistelroi: Edhe unë kam faj

10/03/2005  Sulmuesi i Mançester Junajtid, Rud Van Nistelroi, ka marrë përsipër pjesën më të madhe të fajit, për skualifikimin e skuadrës së tij nga Liga e Kampioneve. Holandezi kishte gati tre muaj që i nënshtrohej fazës së rekuperimit prej dëmtimit të pësuar dhe prandaj, forma e tij fizike nuk premtonte për më shumë. Në të dy takimet e zhvilluar, ai nuk ka arritur të japë kontributin për skuadrën, duke shënuar një nga golat e tij të preferuar. Edhe atëherë kur ai pati disa raste të pastra shënimi, nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit, sepse portieri brazilian i Milanit nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Nisur nga rastet e humbura dhe nga loja e zhvilluar prej “Djajve të kuq”, Van Nistelroi e pati të lehtë që të identifikonte veten e tij, si përgjegjës për skualifikimin nga Liga e Kampioneve. “Nëse do të shënonim të parët, atëherë ndeshja do të merrte një tjetër rrjedhë, ka thënë Van Nistelroi. Rajan e pati një shans, ndërsa unë dy më shumë. Por, për fat të keq nuk ishim në gjendje për t’i shfrytëzuar me kujdes. Për ne, ky ishte një rezultat mjaft zhgënjyes. Na u duk sikur dhamë gjithçka në fushë, por realisht nuk ndodhi kështu. Në fakt, kjo ndeshje tregoi se eksperienca vlen shumë në Ligën e Kampioneve. Skuadra jonë është më e re se Milani dhe prandaj, në momentet vendimtare, ata reaguan me një pjekuri të veçantë. Sidoqoftë, unë mendoj se këto janë disa mësime që ne duhet të nxjerrim nga humbje të tilla”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›