E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murinjo: Fitore e ëmbël

10/03/2005  Trajneri i Çelsit është shprehur se kjo fitore ishte njësoj si të fitoje trofeun e Ligës së Kampioneve

Gjëja e parë që ka thënë Hoze Murinjo, pas fitores dramatike të Çelsit në Ligën e Kampioneve, kundër Barcelonës, ishte se ka ndjerë më shumë emocione gjatë këtij takimi sesa në finalen e madhe, kur drejtonte Porton. Trajneri portugez e ka ndjekur me ankth të madh çdo episod të takimit, ku menjëherë pasi ka fërshëllyer Kolina, ai është hedhur në ajër prej gëzimit. Ai ka vrapuar drejt lojtarëve në fushë, ku i pari që ka përgëzuar ka qenë autori i njërit prej golave, Frenk Lampard. Pavarësisht nga fitorja e arritur me rezultatin 4-2, duket se Murinjos i ka shijuar më shumë përmbysja e Barçës. “E kam shijuar këtë ndeshje më shumë sesa të mëparshmet, ka komentuar Murinjo. Për mua, kjo ishte arrijtja më e rëndësishme në karrierën time. Kam marrë pjesë edhe në takime finale, por kurrë nuk kisha vrapuar si atë mbrëmje. Arsyeja që unë nuk festova me të madhe në finalen e Ligës së Kampioneve, ishte se rezultati 3-0, na kishte dhënë më shumë siguri për fitoren dhe prandaj, unë e dija se çdo të na priste. Por, në fakt, kjo ndeshje ishte tepër e veçantë. Ajo merrte nuanca të ndryshme, pothuajse çdo pesë minuta dhe të shijonte më shumë, sepse gjithë njerëzit nuk e besonin se ne do të shkonim deri në këtë pikë. Për ne ishte mjaft e vështirë, pasi vinim në këtë takim krejtësisht inferiorë, në krahasim me Barcelonën. Por, për fat të mirë ne treguam se ishim në gjendje që të përmbysnim rezultatin dhe këtë, mendoj se e bëmë në mënyrë të përsosur”. Blutë arritën të realizonin plot katër gola, ku qysh në 20 minutat e para të takimit, kryesuan me rezultatin 3-0. Në pjesën e parë shënuan Gudjonsen, Daf dhe Frenk Lampard. Edhe pse Ronaldinjo shënoi dy herë, londinezët reaguan përsëri, por kësaj radhe, me anë të kapitenit Xhon Terri. Një formë të jashtëzakonshme ka shfaqur edhe portieri, Petr Çeh, i cili ndaloi disa aksione për gol, të realizuara nga katalanasit. Sipas Murinjos, kjo natë nuk do të hiqet lehtë nga kujtesa e simpatizantëve të Çelsit, sepse lojtarët e tij kanë treguar në fushë gjithë shpirtin e garës dhe karakterin tipik luftarak. “Jam shumë i lumtur për fitoren tonë, ka shtuar Murinjo. Mendoj se një ekstazë e madhe na pushtoi të gjithëve, pas fërshëllimës së fundit të Kolinës. Unë jam i kënaqur, sepse ne kemi mposhtur skuadrën, e cila vlerësohet nga opinioni, si më e forta në botë për momentin. Mbi të gjitha, takimi ishte i pasur me një nivel të madh emocionesh, të cilat na bënë të fluturonim nga gëzimi. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që kemi edhe angazhime të tjera mjaft të rëndësishme në Premier Ligë”.Liga e Kampioneve

Të martën

Çelsi – Barcelona 4-2

Milan – Man.Junajtid 1-0

Lion – Verder 7-2

Dje

Arsenal – Bajern Mynih 1-0

66’ Henri

Juventus – Real Madrid 1-0

75’ Trezege

Leverkusen – Liverpuli 1-3

87’ Krzinovek / 28’, 33’ L.Garsia,

67’ Barosh

Monako – PSV 0-2

27’ Vinegor, 69’ Bizli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›