E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rajkard: Humbja më e hidhur

10/03/2005  Trajneri i Barcelonës është larguar nga arena e “Stemford Brixh”, me një shije të hidhur në gojë, pas humbjes së thellë që ka pësuar skuadra e tij kundër Çelsit. Pasi dy golat e Ronaldinjos i kanë dhënë shpresa katalanasve për një kualifikim të mundshëm, ato janë fundosur menjëherë, pas golit të Xhon Territ. Dëshpërimi i Rajkard ka qenë i madh dhe këtë, ndoshta e ka treguar fare mirë nervozizmi i tij në fundin e takimit. “Gjithmonë ndihesh i hidhëruar, pasi pëson një humbje, por ndoshta unë ndihem akoma më keq për shkak të gjithë atyre gënjeshtrave që janë thënë për mua, para se të fillonte takimi, ka komentuar Rajkard. Asgjë nuk më ka pëlqyer nga fundi i ndeshjes. Mendoja se ndoshta gjithë atmosfera e krijuar në këtë takim, të shtynte më shumë për të siguruar fitoren, por ndihesh i lënduar edhe kur humb”. Sipas trajnerit holandez, kanë qenë gabimet individuale, të cilat çuan në humbjen e skuadrës së tij. “Mendoj se zhvilluam një lojë shumë të mirë, duke mos u shqetësuar aspak për kundërshtarin tonë, ka shtuar Rajkard. Por, kanë rezultuar vendimtare gabimet individuale të kryera nga ne, madje në disa raste, mua më është dukur si një mungesë maturie nga ana e skuadrës sonë. Ne e humbisnim shumë shpejt topin në mesfushë dhe në këtë mënyrë, e linim Çelsin që të luante me kundërsulme. Këto gabime na kushtuan gjithë ndeshjen. Rezultati 3-0, qysh në 20 minutat e para, na bëri të ndiheshim shumë konfuz. Sigurisht, Çelsi i shfrytëzoi shumë mirë rastet e paraqitura, kurse ne e zotëruam më gjatë topin. Goli i fundit na ra si një thikë pas shpine. Megjithatë, unë shpresoj shumë se kjo humbje do të na ndihmojë që në të ardhmen t’i shmangim me kujdes gabimet tona”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›