E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ferguson: Milani meriton finalen

10/03/2005  Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, është shprehur se një skuadër si Milani, e meriton plotësisht trofeun e Ligës së Kampioneve. Ferguson, gjatë takimit të zhvilluar në “San Siro”, ka qenë dëshmitar i një loje fantastike të treguar nga kuqezinjtë, të drejtuar nga Karlo Ançeloti. Edhe një herë Milani, ashtu si në takimin e parë ka arritur të fitojë me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar përsëri nga sulmuesi argjentinas, Hernan Krespo, në minutën e 61-të. Ai që iu afrua më shumë golit për “Djajtë e kuq”, ishte uellsiani Rajan Gigs. Por, në të vërtetë ky takim nxorri në pah një herë e mirë se Mançester Junajtid e pati shumë të vështirë që të dilte në lojën e preferuar, sepse përballë qëndronin gjashë herë kampionët e Evropës. Falë një harkimi të Markos Kafu, nga krahu i djathtë, Hernan Krespo i ka prishur sërish ëndrrat e skuadrës së Ferguson, për të shkuar në finalen e madhe të Stambollit. “Ajo çfarë zotëron Milani është diçka shumë speciale, ka komentuar Ferguson. Ne kemi zhvilluar shumë ndeshje në kompeticionet evropiane, por kur luan në transfertë, duhet të mos tolerosh aspak. Dua të them se duhen shfrytëzuar si faullet, edhe goditjet e dënimit. Prandaj, unë them se Milani ishte i përsosur nga ana profesionale. Kështu, edhe kur ishim në minutën e 90-të, Kafu vraponte në krahun e djathtë, për të harkuar topat e tij, ndonëse rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-0. Unë mendoj se me këtë shpirt gare dhe me këtë profesionalizëm, ata do të fitojnë patjetër trofeun e Ligës së Kampioneve. Më duket sikur Kafu ka dy zemra, sepse gjatë gjithë lojës, nuk ka rreshtur asnjëherë së vrapuari. Po e njëjta gjë vlen edhe për Maldinin. Madje, do të thoja se, nëse mbrojtësi veteran i Milanit do të vazhdojë të luajë edhe për pesë vjet të tjerë, atëherë unë jap dorëheqjen nga puna ime. Shansi ynë më i rëndësishëm për ishte, kur Gigs gjuajti shtyllën, por kur e humbëm edhe atë, shpresat tona filluan të zbeheshin deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›