E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini-Inter, nis lufta e hapur

Roberto Mançini duket se nuk do t‘i tolerojë ata që deri katër ditë më parë ishin punëdhënësit e tij. Ish-trajneri i Interit ka vendosur të hedhë në gjyq klubin zikaltër, pasi, sipas tij, është akuzuar me ngjarje të pavërteta, duke krijuar një dëm të rëndësishëm në imazhin e tij. Një situatë e tillë dukej e pamundur vetëm një javë më parë, por tani, Mançini dhe Interi janë në një luftë të hapur, e cila vështirë se do të mbyllet edhe nëse zikaltrit i paguajnë atij 24 milionë eurot që i detyrohen sipas kontratës.

Mançinit nuk i ka pëlqyer mënyra se si Interi e ka dhënë lajmin e shkarkimit të tij dhe për këtë arsye do t‘i drejtohet gjyqit. "Interi ka abuzuar me ngjarje të rreme dhe të paligjshme, që kanë fyer rëndë nderin dhe reputacionin tim. Kam udhëzuar përfaqësuesin tim ligjor, në mënyrë që të mbrojë në të gjitha mënyrat, në selinë e përshtatshme, imazhin tim, sidomos nga shoqëria punëdhënëse për pjesën ku është provuar të abuzohet me ngjarje të pavërteta", shkruhej në komunikatën për shtyp, që Mançini ka shpërndarë nëpërmjet agjencisë "ANSA". Duket qartë se Mançini nuk dëshiron më të ulet në tavolinën e bisedimeve me Moratin, për të caktuar me marrëveshje dypalëshe shumën që zikaltrit duhet t‘i shlyejnë atij nga pjesa e mbetur e kontratës. Por, edhe drejtuesit e Interit janë vënë në lëvizje dhe, sipas mediave italiane, po kërkojnë fakte për t‘i mbyllur gojën ish-trajnerit.

Nga ana tjetër, Morati po bëhet gati edhe për revolucionin që pritet të ndodhë në skuadër, pasi drejtimin e saj ta marrë Murinjo. Gazeta "Tuttosport" ka publikuar dje një lajm, ku thuhej se trajneri portugez kishte kërkuar shitjen e menjëhershme të Zlatan Ibrahimoviç. Arsyeja kryesore ishte se lojtari simbol i dy viteve të fundit, është i lidhur ngushtë me procesin "Calciopoli", pasi kaloi në radhët e zikaltërve vetëm pas dënimit të Juventusit. Murinjo nuk dëshiron të fitojë në këtë mënyrë dhe preferon që në vend të suedezit të ketë në skuadër Adrianon. Sulmuesi brazilian ka qenë ndër të parët që e ka mbështetur publikisht, duke mos ngurruar të kritikojë Mançinin. "Kam pasur probleme të vazhdueshme me të dhe është në të mirën time që ai u largua. Murinjo? Ardhja e tij më jep më shumë qetësi, pasi ai më kishte kërkuar më parë te Çelsi. Një lojtar shfaqet më mirë kur ka besimin e trajnerit", tha sulmuesi brazilian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›