E Shtunë, 31 Tetor 2026

FITORJA E SE MAJTES DHE HIJET E MANIPULIMIT

Incidenti me opozitën, lidhur me vendin
e zhvillimit prej saj të mitingut
përmbyllës së fushatës, ishte një
tjetër sinjal i pasigurisë në rritje të
pushtetit të Kryeministrit Berisha lidhur
me rezultatin e zgjedhjeve të nesërme.
Sepse një pushtet me fitore të sigurt do të
shfaqej më tolerant me opozitën, qoftë
edhe për të mos i dhënë shans t‘ia njolloste
fitoren. Ndërkaq, ka edhe sinjale dhe
tregues të tjerë që përforcojnë bindjen
këtë herë, se shumica e votuesve do të
preferojnë të majtën duke i hapur rrugë
rrotacionit të pushtetit. Por bashkë me to
shtohet edhe shqetësimi për rivënien në
punë të mekanizmit të stazhionuar të
manipulimit, nga një pushtet që e ka bërë
manipulimin natyrë të tij.
* * *
Një nga treguesit që mbështesin një
fitore të së majtës në këto zgjedhje, janë
sondazhet e zhvilluara për disa muaj
rresht. Në ato të zhvilluara nga dy kompani
të huaja, të specializuara në këtë
fushë (amerikania "Zogby" dhe italiania
"IPR Marketing"), e majta kryesoi pa ndërprerje.
Rritja e mbështetjes për PD-në në
muajin e fundit e la, gjithsesi, koalicionin
e udhëhequr prej saj, të paktën 3 për qind
prapa së majtës. Dhe kur themi "e majtë"
nuk kemi parasysh vetëm PS-në me aleatët
e saj, por edhe LSI-në me koalicionin
e saj. Duket se këto dy koalicione të së
majtës do kenë shanset më të mëdha që
të formojnë një qeveri pas ditës së diel. Ky
është konkluzioni që del nga shqyrtimi i
rezultateve disamujore të sondazheve të
kryera nga "Zogby" dhe "IPR".
Ndërkaq, "Gani Bobi", një tjetër kompani
sondazhesh, ka dhënë parashikime
krejt të kundërta me dy kompanitë
e sipërpërmendura. Sipas sondazheve të
"Gani Bobit", PD-ja figuron me epërsi të
ndjeshme ndaj të majtës. Veçanërisht në
sondazhin e fundit të "Gani Bobit", bërë
publik pak ditë më parë, PD u raportua aq
e rritur, sa do të mund të krijonte qeverinë
edhe e vetme, pa ndihmën as dhe të aleatëve
të koalicionit të saj. Por këto rezultate
duken disi kontradiktore me një dinamikë
normale të sjelljes së elektoratit,
krahasuar edhe me disa rezultate të publikuara
rreth një muaj më parë, nga po
"Gani Bobi", gjë që u konstatua edhe gjatë
një debati në emisionin "Opinion".
Dy partitë më të mëdha të opozitës së
majtë, PS dhe LSI, figuronin me një rënie
shumë të ndjeshme. PS nga 42.1 për qind
ishte katandisur në 33.2 për qind, ndërsa
LSI nga 6.2 për qind në 3.1, që do të thotë
se kish humbur gjysmën e mbështetësve.
Pra, e majta figuronte me një humbje prej
12 për qind të mbështetjes në elektorat.
Le të pranojmë për një moment se është
vërtet kështu. Ku kanë shkuar votat e këtij
12 përqindëshi? Mos vallë, sikundër do
ishte më e logjikshme, te "të pavendosurit"?
Po të kish ndodhur kështu, kolona
e "të pavendosurve" do të qe rritur shumë
në përqindje. Në të kundërtën, vetë rezultatet
e sondazhit "Gani Bobi" treguan se
"të pavendosurit" jo vetëm që nuk qenë
rritur, por ishin ulur nga rreth 23 për qind
në 9.7 për qind, pra janë pakësuar rreth
13 për qind. Mos vallë hemorragjia e votave
opozitare ka përfunduar te kategoria
e atyre që nuk mbështesin asnjë parti?
Edhe këtë mundësi e hedh poshtë vetë
sondazhi, sepse ata rezultojnë vetëm 4.1
për qind, pra shumë pak. Pra ku kanë shkuar
votat e rreth 12 për qind të mbështetësve
të së majtës? Sondazhi i "Gani
Bobi"-t mund t‘i përgjigjet kësaj enigme
vetëm duke pohuar se këto vota të majta,
janë transferuar në mbështetje të PD-së
dhe Berishës!
* * *
Edhe sikur të jesh i prirur të shpresosh
për një elektorat më elastik, që e zhvendos
mbështetjen në varësi të ciklit politik dhe
problematikave, nga një parti kundërshtare
te tjetra, një dinamikë e tillë si ajo që paraqiti
sondazhi i "Gani Bobi"-t duket krejtësisht
absurde. Jo vetëm se në elektoratin shqiptar,
të ngurtësuar pas partive dhe liderëve, nuk
para ndodhin hemorragji apo "tradhti" të
tilla masive, por edhe sepse gjatë këtyre
kohëve nuk ka ndodhur asgjë që do të mund
të përligjte një dinamikë të tillë. Përkundrazi,
në publik kanë dalë edhe më shumë fakte
(si për shembull tabulatet telefonike të Shkëlzen
Berishës me Delijorgjin) që flasin për
një korruptim të thellë të qeverisjes e pushtetit
dhe pra, që nuk mund të besohet se
nxisin mbështetjen për to. Aq më tepër nga
elektorati i majtë. Një tjetër logjikë, që
kundërshton një fitore të PD-së dhe aleatëve
të saj është fakti se, edhe në vitin
2005, kur shumëkush besonte se Berisha
do të bëhej një "Shën Gjergj" që do vriste
kuçedrën e korrupsionit, PD u rikthye në
pushtet pa marrë mbështetjen e shumicës
së shqiptarëve. E si mund ta ketë sot, e dalë
nga një qeverisje me shumë premtime të
pambajtura dhe mbi të gjitha, me një korrupsion
që ka damkosur jo vetëm qeverinë,
por edhe familjen e Kryeministrit? Pra,
më shumë se perceptim i një situate reale,
pamja e dhënë nga "Gani Bobi" duket më
shumë si një lapsus (në rastin më të mirë)
që një situatë humbjeje të PD-së e përkthen
si fitore. Një përmbysje e rezultateve
të "Gani Bobi"-t në favor të së majtës (gjë
që do i përafronte ato edhe "Zogby" e
"IPR") do të ishin ndoshta më afër asaj që
do të shfaqet nesër, kur të përfundojë
numërimi i votave.
Por ekziston një dyshim në rritje, se të
tilla "lapsuse" mund të përdoren nga Berisha
si alibi e një manipulimi të mundshëm.
Dhe kur bëhet fjalë për Berishën,
rreziqet e manipulimit të zgjedhjeve janë
iminente. Madje, nuk mund të përjashtohet
si i pabazë dyshimi se Berisha e zvarriti
për 4 vjet (për të mos e realizuar kurrë)
premtimin për pajisjen me karta identiteti
të të gjithë shqiptarëve, vetëm që mos
t‘i ngushtonte hapësirat e funksionimit
atij mekanizmi manipulimi që ai vetë dhe
klani i tij politik, e kanë përsosur gjatë 18
viteve tranzicion. Me këto konsiderata, si
edhe me infrastrukturën përsëri të
mangët zgjedhore, lidhen shqetësimet e
opozitës mbi mundësinë e manipulimit të
zgjedhjeve, shqetësime të shfaqura gjithnjë
e më me forcë ditët e fundit.
Padyshim, me potencialet manipuluese
të votave lidhet edhe deklarata e
ambasadorit të SHBA-së, Withers, i cili
pak ditë më parë u bëri thirrje qytetarëve
të mos u nënshtrohen presioneve
e të mos bëhen bashkëpunues, por të
denoncojnë teknikat e manipulimit,
shitblerjes apo vjedhjes së votave. Në
tërësi janë shqetësime dhe paralajmërime
që i adresohen qeverisë, e cila
është përgjegjësja kryesore për organizimin
e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Mjerisht, sa më shumë shtohen sinjalet
e një triumfi të së majtës, aq më shumë
shtohen edhe shanset e një reaksioni
manipulativ të një pushteti, që duket se
e ka të rrënjosur në genet e tij manipulimin.
Do të ishte reaksion i një
pushteti të korruptuar kundër vullnetit
të sovranit të shprehur me votë, reaksion
pushteti që do të vinte në rrezik
serioz interesat integruese të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›