E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPERIA PO SHPETON

Më 28 qershor shqiptarët do të shkojnë
të votojnë jo vetëm si qytetarë europianë
të Ballkanit Perëndimor, por, për
herë të parë, edhe si anëtarë të një prej
familjeve më të mëdha politike, demokratike,
ekonomike e ushtarake, pra si anëtarë edhe të
NATO-s. Maurizio Kostanco, gazetari i njohur italian,
një nga librat e tij, botuar vite më parë, e ka titulluar
"Un paese anormale" dhe si nëntitull ka shënuar
"L‘Italia che non ci piace". Në hyrje të librit, mes të
tjerash, ai shkruan: "Massimo D‘Alema, vite më
parë, shkroi një libër për të thënë se duhet të bëhemi
një vend normal. Është një sipërmarrje e vështirë. E
rëndësishme është t‘ia dalim e të mbërrijmë më në
fund që të bashkëjetojmë në një drejtpeshim të
pranueshëm. Dhe kjo, sipas meje, është një ushtrim
të cilin e bëjmë dhe me të cilin stërvitemi çdo
ditë. Për shumë më pak se kaq, vende të tjera, prej
shumë kohësh, do të ishin shkatërruar". Dhe më tej
ai kujton një personalitet italian, Flajanon që thoshte:
"La situazione è disperata ma non grave". Nuk
kam ndërmend të befasoj njeri duke lënë të nënkuptohet
paralelizmin që mund të hiqet fare lehtë
midis Italisë që nuk pëlqen Kostanco dhe Shqipërisë
që nuk pëlqejmë ne, midis Shqipërisë së çmendur
dhe Italisë anormale. Por shqiptarët më 28 qershor
do të shkojnë të votojnë dhe ata që kanë ndërmendjen
se kjo ditë është historike, se kjo ditë është e jashtëzakonshme
për shqiptarët ose janë patetikë provincialë,
ose janë të huaj që rreken të na mbushin
mendjen ende se fati ynë është në duart tona, pra
fati politik i shqiptarëve është në duart e vetë shqiptarëve
ose janë, më në fund, mashtrues të kampeve
politike që rreken të na mbushin mendjen
për njërën apo për tjetrën alternativë. Është e vërtetë
që ne do të votojmë, por ne nuk kemi mundësi të
zgjedhim, sepse jemi një vend anormal, ne do të na
duhet të zgjedhim midis shumë mëdyshjeve atë që
na kushton më pak, por kemi një shans të madh këtë
radhë, që të paktën të shpëtojmë nga një e keqe,
kemi mundësi që sloganin e Sali Berishës dhe të
partisë së tij "Shqipëria po ndryshon" ta kthejmë në
sloganin e të gjithëve "Shqipëria po shpëton", në
kuptimin që këtë radhë Shqipëria po shpëton prej
Sali Berishës. Sikur të bëjmë vetëm kaq ne mund të
tregojmë jo se kemi filluar të bëhemi një vend normal,
por se kemi filluar të vendosim një drejtpeshim
me gjërat anormale, si shenjë e parë se pas kësaj
mund të nisim udhën e gjatë për t‘u bërë një vend
pak a shumë normal.
Kjo fushatë do të mbahet mend si një prej fushatave
më bajate, më provinciale e më të bezdisshme.
Në imazhin kolektiv të shqiptarëve u rras me dhunë
vetëm imazhi i sforcuar i Kryeministrit të Shqipërisë
dhe slogane pa kuptim që kishin një ngarkesë retorike
të neveritshme. Mungonte eleganca, shija e
hollë dhe kishte shumë gjizë e hirrë stani, pa mohuar
respektin për këto nënprodukte blegtorale. Ata
që bënin makiazhin e fushatës së PD-së ishin përpjekur
që të imitonin me çdo kusht stilin rock dhe
hip hop të Edi Ramës. Mirëpo pikërisht këtu propaganda
e PD-së në vend që të ngjallte emocion ose të
të frymëzonte, bënte efektin e kundërt, të bënte për
të qeshur. Ndodhi ajo që kishte ndodhur më parë
me sloganet e PPSH-së në diktaturë. Në atë kohë
parullat "Ta bëjmë fshatin më të bukur si qytetin"
apo "T‘u qepemi kodrave e t‘i bëjmë edhe ato pjellore
si fushat", apo "Shqipëria, fener ndriçues" në
vend që të të ngjallnin emocion pozitiv, të bënin për
të qeshur. Kështu edhe sloganet e Berishës këtë
efekt patën dhe si asnjëherë tjetër, pikërisht për
shkak të këtij imitimi bajat, në popull lindën edhe
barsoletat. E para e ktheu sloganin e Mediut, aleatit
më të ngushtë të Berishës nga "Sot në NATO nesër
në BE", në "Sot në NATO nesër në dhe". Ky humor i zi
u pasua me transformimin e sloganit kryesor të PDsë
nga "Shqipëri po ndryshon" në "Shqipëri po shpëton"...
prej Sali Berishës. Po pse erdhi gjithë kjo? Ka
shumë arsye, por më kryesorja erdhi pse fushata
elektorale në thelb u transformua nga një dialog me
publikun në një monolog me vetveten. Siç thonë
specialistët e komunikimit të këtij dialogu iu hoq një
përmasë që është i destinuari. Sloganet e PD-së nuk
kishin adresë, ato nuk i drejtoheshin publikut, por
emocioneve të ndezura të një grushti militantësh, të
cilët edhe ashtu të eksituar siç janë, nuk kanë nevojë
për dialog, por vetëm për klithma monologu dhe për
muzikë e zhurmë. Nga dialogu në këtë fushatë u përjashtua
tema e korrupsionit. Pra, PD-ja e akuzuar si
asnjë tjetër qeveri më parë nuk pranoi të debatonte
për këtë plagë. Mirëpo ajo harroi se shqiptarët e dinë
që Shqipëria e Sali Berishës është një vend ku korrupsioni
kontrollon shtetin dhe ekonominë, i ngjashëm
me Indonezinë apo Venezuelën. Ka dy lloj
vendesh të korruptuara sipas AEI (Instituti Amerikan
për Kërkime mbi Politikat Publike). Në kategorinë e
parë hyjnë vendet ku korrupsioni, megjithëse i
përhapur, nuk e bllokon zhvillimin e një vendi dhe
integrimin në tregjet botërore. Të tilla janë Italia dhe
Turqia. Në kategorinë e dytë hyjnë vendet ku të korruptuarit
përbëjnë një elitë shoqërore të aftë për të
kontrolluar proceset demokratike dhe ekonominë.
Korrupsioni është i njohur në të gjithë botën, por
në disa vende ai është kthyer në një model jetese dhe
kusht i pazëvendësueshëm në krijimin e marrëdhënieve
ekonomike e shoqërore. Në këto raste, të
korruptuarit arrijnë të bashkëpunojnë me njëritjetrin
dhe ta lënë pjesën tjetër të shoqërisë jashtë
zhvillimeve ekonomike, jashtë tregut dhe jashtë vendimmarrjes
politike. Në këto raste ekonomia dhe shoqëria
e këtyre vendeve vuan nga mungesa e konkurrencës,
qoftë në rrafshin politik ashtu edhe në shkencë
e kulturë. Kështu pengohet edhe zhvillimi i
shoqërisë si një e tërë. Kur kasta e të korruptuarve
kontrollon ekonominë dhe politikën e një vendi, ai
vend është i dënuar me varfëri dhe krim. Kjo pra është
Shqipëria që na krijoi qeverisja e Sali Berishës në
këta vjet dhe këtë klimë mbolli ai në 18 vjet. Ndaj
edhe fushata e tij këtë radhë nuk ishte një dialog, por
një monolog i lodhshëm. Por, më 28 qershor ne, shqiptarët
e Europës Jugperëndimore, që siç shkruante
kolegu dhe miku im Dan Bilefsky i NYT, janë më të
izoluar se kurrë, por janë anëtarë të NATO-s, do të
shkojnë të votojnë dhe ne kemi një rast në dorë që
sloganin "Shqipëria po ndryshon" ta kthejmë më në
fund në "Shqipëria po shpëton" prej... Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›