FMN: Rrezikohet rritja ekonomike në Europë, dhe Shqipëri
FMN tha të hënën se kriza ekonomike globale dhe ajo Amerikane po ndikojnë edhe në rënien ekonomike evropiane.
“Ekonomia evropiane ka mundur të përballojë krizën deri tani, duke mos u ndikuar nga kriza ekonomike amerikane dhe botërore. Por statistikat tregojnë se edhe Europa nuk mund të ngelet e pandikuar nga kjo krizë”- thotë Michael Deppler, drejtor e Departamentit Europian për FMN-në.
FMN parashikon se rënia mund të shoqërohet me forcim të euros deri në nivele rekord dhe rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë, të cilat paralajmërojnë inflacion. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Europë pritet të jetë 2.6% nga 3.9% që ishte vitin e kaluar. Ritmi i rritjes në ekonomitë e zhvilluara pritet të bjerë nën potencialin e tyre për disa kohë.
FMN e ndau parashikimin e saj në dy kategori. Në të parën futeshin vendet e industrializuara evropiane, ose 15 vendet e Eurozonës, si dhe Danimarkën, Suedinë dhe Britaninë. Në të dytën futen ekonomitë evropiane në zhvillim, si dhe Rusinë, Kroacinë, Shqipërinë, Turqinë dhe Ukrainën.
FMN tha se ekonomitë evropiane mund të shikojnë një rënie në rritjen ekonomike reale me 1.5% këtë vit. Vendet në zhvillim do të kenë një rënie të PBB-së në 5.5% nga 6.9% që ishte në vitin 2007.
Në eurozonë, PBB pritet të jetë 1.4% këtë vit dhe 1.2% në vitin 2009.
“Rritja e shpejtë e inflacionit, e cila ka ndikuar te besimi konsumator dhe shpenzimet në Europë, është një tjetër sinjal për rënie ekonomike” – tha Deppler.
Ekonomia e eurozonës zë më shumë se 15% të Prduktit të Brendshëm Bruto të botës – dhe inflacioni është 3.6%, niveli më i lartë në 16 vitet e fundit.
Midis vendeve më të ndikuara mund të jenë Britania dhe Spanja që e kanë më të zhvilluar tregun e banesave.
“Por rrisku është më i madh në vende që kërkojnë të korrigjojnë çmimet e banesave”- tha FMN.
Po ashtu në rrezik janë edhe ekonomitë në zhvillim të tilla si vendet lindore të Euroës- të cilat kanë deficit të lartë tregtar dhe borxhe të mëdha të jashtme. Orjeta Zhupa