E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marnhac: stabiliteti – faktor kyç për zgjidhjen e statusit

Autori i Lajmit: Albana IsufiKomuniteti ndërkombëtar, sipas komandantit të KFOR-it, Xavier de Marnhac, si faktor kryesor për zgjidhjen e statusit të Kosovës, sheh ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë. “Mendoj se gjatë procesit politik apo diplomatik, perceptimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të opinionit publik janë se stabiliteti i Kosovës është çelësi kryesor për vendimin që do të merret. Dhe, çdo thyerje e këtij perceptimi do të ishte shkatërruese për tërë popullin e Kosovës. E ne të gjithë jemi në të njëjtën barkë: KFOR-i, liderët, mediat dhe populli i Kosovës”, - tha gjenerali Xavier de Marnhac, i cili kur kishte përfunduar detyrën e zëvendëskomandantit të KFOR-it në shkurt të vitit 2006, kishte lënë prapa besimin e madh të kosovarëve se do të pavarësoheshin në qershor të atij viti. “Sot jemi në vitin 2007 dhe ende kemi një pikëpyetje të madhe përballë kësaj”, - tha gjenerali francez de Marnhac, i cili është i bindur se KFOR-i, si asnjëherë më parë, është i përgatitur që të menaxhojë situatën e sigurisë, pavarësisht se Kosova po kalon nëpër një proces të dyfishtë: negociatat për status dhe zgjedhjet. “Nuk shoh të ketë arsye për rritjen e numrit të trupave. Ne kemi mjete për të arritur misionin tonë. Jam i vetëdijshëm për këtë proces të dyfishtë, por nuk dua të spekuloj as për rezultatin e zgjedhjeve e as për atë të statusit. Nuk ka nevojë për rritje të numrit të ushtarëve për këtë kohë dhe për këtë situatë, siç është tani”, - u shpreh gjenerali Marnhac. Procesi i negociatave shtesë pritet të përfundojë më 10 dhjetor, ndërkohë që liderët kosovarë kanë thënë se, nëse nuk zgjidhet statusi, do të shpallin pavarësinë njëanshëm. Po, a do të ndryshojë mandati i KFOR-it në një rast të tillë? “Nuk do të spekuloj se si do të jetë rezultati i procesit aktual. Ne kemi një mision të qartë, kemi një mandat dhe nuk shoh ndonjë arsye që pas 10 dhjetorit ky mandat të ndryshojë. Kështu që KFOR-i do të ofrojë atë që po e ofron edhe sot, siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, - theksoi gjenerali Marnhac, i cili nuk sheh kërcënime të sigurisë në këtë kohë të negociatave për statusin. Sidoqoftë, ai thotë se NATO-ja ka plane të kujdesshme për këtë periudhë të negociatave, por nuk i ka shpalosur ato. Ndërkaq, kërcënimet e mëhershme të zyrtarëve serbë, se në rast të pavarësisë do të ktheheshin me forcë në Kosovë, gjenerali Marnhac, nga pikëpamja ushtarake, i sheh si të pakuptimta. Ai ka thënë se pas KFOR-it, është e tërë NATO-ja. Sidoqoftë, komandanti i KFOR-it ka pranuar se janë shtuar patrullimet e KFOR-it nëpër rrugët e Kosovës. Ai ka thënë se kjo bëhet me qëllim që të mundësohet liria e lëvizjes për të gjithë gjatë fushatës zgjedhore.

Ky lajm është publikuar: 22/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›