Kush kujdeset për qytetarët?
Autori i Lajmit: Isidor KotiEdhe sikur të duash të bësh njeriun më indiferent ndaj jetës politike në vend, është më shume se e pamundur, gati e pakonceptueshme. Spektakli që të ofron kjo skenë shfaqet më interesanti dhe më i frekuentuari. Përmbush misionin e dhjetëra militantëve partiakë, kohën e atyre që s ka me se ta shtyjnë ditën, mediave që kanë rënë keqazi në pëlqim me rrjedhën e politikës dhe aktorët e saj, sepse në këtë teatër grotesk nis e mbaron një haber sensacional, aty nisin muhabetet e kafesë së mëngjesit dhe përfundojnë thashethemet e natës. U bënë dekada me radhë që në këtë atmosferë sunduese është fermentuar edhe psikologjia e popullit tonë, që i çel dhe i mbyll sytë duke parë para ekranit e në faqet e para të gazetave të njëjtat fytyra, të cilat jo vetëm që nuk konsumohen, por edhe rinohen dita-ditës me imazhin e tyre karizmatik. E gjithë kjo melodramë i ka të formuara pjesët e një “shoë” tipik donkishotesk, ku fytyrat e njëjta marrin role të ndryshme, dinjiteti bie përtokë me shpejtësinë e rënies së lirë dhe dashuria më e madhe që mbizotëron është ajo ndaj “armikut”. Por nëse vërtet politika do të merret (fatkeqësisht kështu flasin të gjitha të dhënat) një ëmbëlsirë që mund ta shijojnë ata që e vetëkonsiderojnë atribut deri në vdekje, ky është gabimi që po na vonon konceptualisht zhvillimin e vendit. Konkluzionin nuk është nevoja ta thonë vetëm ndërkombëtarët, të cilët janë treguar spektatorët më të kujdesshëm në ecurinë e procesit politik në Shqipëri. Edhe shqiptari më i paditur e ka kuptuar se e keqja më e madhe, së paku në këta 15 vjet na ka ardhur nga koka. Më saktë është një qenie-kokë e ndërfutur brenda procesit që paraqitet me dy krena dhe ndërron ngjyrë, flamur, gjëra të brendshme e të jashtme. Por mentalitetin e vjetër e të rreckosur fare nuk e ka ndërruar. E siç duken bathët, as kanë për ta ndryshuar ndonjëherë. Lidershipi politik shqiptar i viteve të demokracisë vazhdon të trashëgojë në mënyrë diletante mentalitetin reminishent të historisë famëkeqe të 50 viteve të shkuara. Jo vetëm që janë trashëgimtarë teorikë, por edhe besnikë të vetvetes në idealin e të qenit të pandryshueshëm dhe të pazëvendësueshëm. Parcelizimi i imazhit politik po bëhet jo vetëm i prekshëm, por edhe i frikshëm, sepse këto skema nuk janë rrjedhojë e situatave me sens pozitiv që mund të sjellin ndryshime substanciale për hir të dobisë qytetare, por çojnë në degradim të vlerave të ngushta brenda për brenda korridoreve grupale ose individuale. Rrjedhimisht, interesat publike të marra përsipër nga këta aktorë lihen mënjanë dhe vit pas viti përsëriten të njëjtat dogma të mërzitshme që sjellin si produkt krizat e shpeshta. Ofertat joshëse, pavarësisht se konvertohen me pushtet dhe këmbehen me vota, në të vërtetë i bëjnë sipërmarrësit e tyre gur shahu, skema e të cilëve është bërë një matricë e thjeshtë për shqiptarët. Parashikimi se në këtë skenar patetik dhe paradoksal nuk do të ishte e çuditshme të shikonim ndonjë prej liderëve ose ish-liderëve të bashkohej me një ngjyrë tjetër politike, u bë një realitet spektakolar. Veprime të tilla mund t i bëjnë vetëm gjallesat për të mbijetuar. Por siç duket, kur bëhet fjalë për karrigen, dikush mund të bëhet “kameleoni” më i spikatur në pyllin e dendur të jetës politike. Një politolog ka thënë dikur se vetëdija, që është aftësia e njeriut për të njohur e kuptuar gjendjet e veta shpirtërore dhe efektet që ato mund të kenë tek të tjerët, mbetet një faktor kryesor në zgjedhjet e këtij lideri. Kjo sjell besim në vetvete dhe vlerësimin real të rrethanave. Pra jo nënvlerësim, por gjithashtu jo mbivlerësim. Megjithatë, kjo gjendje është reflektuar së prapthi nga liderët tanë të vjetër dhe predominues. Kushtet aktuale që po kalon vendi ynë janë
aq të vështira, sidomos në energjetikë dhe biznes, saqë nuk favorizohet as lëvizja më e vogël në procesin politik, perveç ndonjë reforme në dikasteret përkatëse. Por çuditërisht, vëmendja e Kryeministrit dhe ish- kryeministrit ka shkuar në avangardë me përcaktimin e pushteteve dhe jo me gjendjen skandaloze që po kalon vendi ynë në faktorët më strategjikë socialë. Në këtë katrahurë që gatuajnë aktoret e politikës shqiptare, qytetari i thjeshtë mbetet gjithmonë i mashtruari më i madh, duke u kënaqur me soditjen e një spektakli fare të pavlerë, qoftë për të sotmen, ashtu edhe për perspektivën. Shqiptaret nuk duan gallata politike dhe as debate pa bukë, por drita, punë, mirëqenie, zhvillim… Europë. Ka ikur koha kur populli ynë ushqehej me frymën e premtimeve të qëndisura aq bukur në periudha fushatash dhe pas katër vitesh sofra ishte e pashtruar. Tani fiton ai që punon më shumë në dobi të interesave qytetare dhe jo interesave të ngushta grupale apo personale. Sytë e shqiptarëve janë çelur.
Ky lajm është publikuar: 22/09/2007