FMN: “Ekonomia globale gjatë 2009-s, si në Luftën II Botërore”
Nju Jork - Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, viti 2009 do të shoqërohet nga një rënie e konsiderueshme ekonomike. Gjatë këtij viti, bota do të ketë një rritje ekonomike vetëm me 0.5 për qind, ndërkohë që një situatë e tillë nuk rezulton që prej viteve të Luftës së II Botërore. FMN-ja ka arritur në përfundimin se situata e kredidhënies në të gjithë botën është rënduar dhe kjo ka rritur akoma më shumë kostot e krizës. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ekonomike globale do të kushtojë 2.2 miliardë dollarë nga 1.4 miliardë që parashikohej kjo kosto në muajin tetor. Kështu, raporti i FMN-së evidenton se rritja ekonomike në Eurozonë për këtë vit do të pësojë një rënie prej 2 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rritja parashikohet të jetë vetëm 0.2 për qind. Ekonomia amerikane do të pësojë një rënie prej 1.6 për qind gjatë 2009-s, ndërsa vitin e ardhshëm do të rritet po në këtë masë. Gjermania do të përfshihet këtë vit nga rënia e ekonomisë që vlerësohet 2.5 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rritja do të jetë vetëm 0.1 për qind. Rënia e ekonomisë italiane përllogaritet për vitin 2009 në masën 2.1 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rënia do të jetë vetëm 0.1 për qind. FMN-ja vlerëson në raport se sistemi financiar global ndodhet ende nën presion dhe kësaj i shtohet edhe përkeqësimi i ekonomisë reale. “Rikthimi i besimit dhe funksionimit të sektorit financiar janë kushte të domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë”, - nënvizohet në raportin e FMN-së. Në këto kushte, Fondi thekson se, “duhen marrë masa agresive nga qeveritë”. Receta që jepet nga FMN-ja bazohet në tri forma për të ndërhyrë. Masa e parë synon pastrimin e bilanceve nga humbjet, ndërhyrja e dytë parashikon injektimin e likuiditeteve për të garantuar funksionimin e tregjeve dhe masa e tretë është mbështetja direkte me kapital e kompanive që janë prekur tashmë nga kriza. Fondi Monetar vë në dukje se nevojitet një reagim ndaj krizës në nivel global. Sipas parashikimeve të FMN-së, kriza ekonomike botërore do të ketë një kosto prej 2.2 miliardë dollarësh.
29 Janar 2009