E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Tatimeve, zëvendësministri i Financave, Mima, kritikon edhe Doganat



Njësoj si 13 ditë më parë në analizën vjetore të Tatimeve, zëvendësministri i Financave, Florian Mima, ka përsëritur të njëjtin qëndrim kritik edhe dje ndaj Doganave shqiptare. I ftuar në analizën vjetore të punës së DPD-së për vitin 2008, Mima ka bërë kritika ndaj sistemit doganor në Shqipëri. Sipas tij, në doganat shqiptare ka ende vonesa. “Biznesmenët shqiptarë ditë për ditë ndeshen me probleme si me zhdoganimin e mallrave, ashtu edhe me rendimentin e shërbimit”, - ka deklaruar zëvendësministri Mima. Zëvendësministri kërkoi gjatë analizës përmirësim të dukshëm në sistemin doganor si në kuadrin ligjor, ashtu edhe në atë të përmirësimit të shërbimit. Tjetër aspekt, në të cilin Mima kërkoi më tepër efikasitet, ishin çmimet e referencave. Sipas Mimës, “për vitin 2009 administrata doganore duhet të vendosë një harmonizim dhe unifikim të çmimeve të referencës në çdo pikë doganore, pasi ka pasur ankesa të shumta nga komuniteti i biznesit. Zbatimi i disa çmimeve të referencës në pika të ndryshme doganore jep të kuptosh se individë të caktuar orientojnë hyrjen e mallrave në pika doganore, ku çmimet e referencës janë më të ulëta duke sjellë në këtë mënyrë edhe performancë më të dobët në disa pika doganore, që përbën edhe shkelje të ligjit”. Mima kërkoi gjithashtu një punë më të madhe përsa i përket kontrollit të deklaratave doganore në pikat doganore. Krejt ndryshe nga numri dy i Financave, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Devishi, tha se gjatë vitit 2008 kishte rritje të efikasitetit në dogana si në import, ashtu edhe në eksport. Të ardhurat doganore gjatë vitit 2008 shënuan një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2007, duke arritur në 104,986 miliardë lekë nga të cilat 19.9 për qind të totalit të të ardhurave e zinin mallrat e akcizës. Sipas Dervishit, borxhi progresiv që biznesi i ka si detyrim doganor arrin në 9.5 miliardë lekë. Janë rreth 1007 biznese që kanë detyrime ndaj administratës doganore, por rreth 70 për qind e tyre do të mund të përfitojnë nga akti ligjor për faljen e detyrimeve pak muaj më parë nga qeveria.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›