Makineritë italiane në Shqipëri, më pak të preferuara
Sipas prodhuesve italianë të makinerive dhe pajisjeve, tregu i tyre në Shqipëri aktualisht është fare minimal, krahasuar me eksportet italiane në vende të tjera të botës. Sipas të dhënave të tregtisë, gjatë vitit 2007 rezulton të kemi importuar vetëm 2 milionë euro makineri nga Italia, shifër e papërfillshme krahasuar me eksportin total prej 3 miliardë eurosh të industrisë së makinerive italiane në botë. Edhe pse importet italiane zënë peshën kryesore sipas vendeve, më pak makineri “Made in Italy” kanë hyrë në vendin tonë krahasuar me tregjet e rajonit. Në të njëjtën periudhë (2007) Serbia apo Kroacia kanë importuar në vlerë rreth 6 herë më shumë makineri italiane krahasuar me Shqipërinë. Ndërsa Sllovenia është klienti kryesor i prodhuesve italianë të këtij sektori. Importet e saj të makinerive për vitin 2007 nga Italia ishin mbi dhjetë herë më të mëdha se importet shqiptare. Për gjithë rajonin e Ballkanit, importi mesatar vjetor i makinerive dhe sistemeve të prodhimit e përpunimit llogaritet mesatarisht rreth 50 milionë euro në vit. Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve Italianë të Makinerive, kjo vlerë përbën rreth 2 për qind të totalit të eksportit të makinerive italiane. Sipas të dhënave të tregtisë me jashtë, për periudhën janar-shtator 2008 vlera e importit të makinerive italiane ishte rreth 1.8 milionë euro, ose 20 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Gjigantët e prodhimit të makinerive zhgënjejnë tregun shqiptar
Me gjithë famën e madhe të markave gjermane, në tregun shqiptar po futen gjithnjë e më pak makineri të prodhuara në Gjermani. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, vlera e importit të makinerive përpunuese nga Gjermania gjatë vitit të plotë të marrë në shqyrtim (2007) ishte rreth 460 mijë euro, ose rreth 81 për qind më pak se një vit më parë. Kjo vlerë përbën rreth 23 për qind të vlerës së importit të këtyre makinerive nga shteti fqinj përtej detit. Makineritë gjermane vazhdojnë të zënë peshën më të lartë të importeve nga Gjermania (58% të totalit të vlerës), por krahasuar me importet e makinerive në total, kjo peshë është në rënie. I njëjti fenomen është vërejtur edhe për makineritë që vijnë nga Italia. Ky i fundit vazhdon të jetë furnizuesi kryesor i tregut të makinerive në vendin tonë. Humbjen e tregut të vendeve të mëdha prodhuese, ekspertët e tregtisë e shpjegojnë me forcimin e pozicionit të tregtarëve shqiptarë në treg. Për produktet e teknologjisë, tregtarët vendas duket se kanë zgjeruar tregjet e blerjes. Edhe për arsye të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, sipas ekspertëve, tregtarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt tregjeve që ofrojnë çmime më të lira, si vendet aziatike.
29 Janar 2009