E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat antikrizë, BSH-ja ul normën e interesit të lekut me 0.5 për qind



Ervin Koçi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, njoftoi dje se Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së uli normën e interesit me 0.5 për qind, një masë të cilën ai e quajti si shumë të rëndësishme pasi nxit ekonominë shqiptare. Ulja e normës së interesit u bë me kërkesë të biznesit dhe bankierëve për të liruar kreditë në monedhën vendase. “Në këto kushte, norma bazë e interesit të lekut arrin në 5.75 për qind”, - tha gjatë konferencës për shtyp guvernatori Fullani, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Fullani sqaroi se kjo masë krijon premisa për një reagim pozitiv nga ana e sistemit bankar në drejtim të punës së përqindjes së interesit, si dhe vlerësohet si një hap për të mbështetur ekonominë me kredi. Nga ana tjetër, kjo masë ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit. Ulja e normës së interesit për lekun është përfolur vazhdimisht në media si një ndër masat që pritej të merrej në kuadër të krizës ekonomike globale, që kohët e fundit ka prekur disa sektorë të ekonomisë shqiptare. Në këtë rast, bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Propozimi për uljen e normës së interesit ka hasur në kundërshtimin e mjaft ekspertëve, të cilët thonë se ky vendim do të dobësojë pozitat e lekut, ndërkohë që të tjerë ekspertë mendojnë se kjo masë do të shërbejë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve.

Inflacioni

BSH-ja do të tregohet e kujdesshme për të pasur nën kontroll edhe masën e inflacionit. Guvernatori Fullani mbrojti masën e uljes së normës së interesit, e vendosur zyrtarisht nga BSH-ja. “Ne kemi folur edhe më parë për një zbutje. Masa është e duhura dhe do të japë stimulin përkatës për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit”, - tha Fullani. Sipas tij, “nëpërmjet këtij vendimi krijohen shanse reale për aktivitetin ekonomik të vendit”. Ai ka shtuar se ajo është një kontribut i drejtpërdrejtë dhe në rrëzimin e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare si dhe ndihmon qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë të vendit.

Sigurimi i depozitave

Guvernatori Fullani foli edhe për depozitat bankare dhe masat që janë marrë nga BSH-ja për mbrojtjen nga kriza ekonomike globale. Sipas kreut të BSH-së, “depozitat bankare janë të sigurta përballë krizës financiare globale që po ndihet edhe në Shqipëri”.
Sa i përket masave, ekonomia shqiptare gjatë këtij viti, në bazë të programeve afatmesme, do të marrë masa për një prurje sa më afër standardeve në kufirin e prurjeve të depozitave. Sipas Fullanit, sjellja e depozitave në vendin tonë, krahasuar me atë të vendeve të tjera, ka qenë e pëlqyeshme. ”Janë marrë të gjitha masat nga BSH-ja dhe i falënderoj edhe mediat për ta konsideruar këtë çështje si mbarëkombëtare dhe për ta trajtuar atë si një çështje parësore”, - tha Fullani. Sipas tij, “ndryshimi i normës së interesit ka të bëjë edhe me një sjellje më të mirë për depozitat, që pa dyshim është një premisë kryesore për mbarëvajtjen e parametrave të bankave të Shqipërisë”.

Fullani: “Ekonomia shqiptare, në varësi të krizës globale”

Banka e Shqipërisë nuk e ka të qartë se sa do të preket ekonomia shqiptare nga kriza globale. Guvernatori Fullani tha vetëm se, “BSH-ja thekson se ndikimi i krizës botërore në Shqipëri do të varet si nga intensiteti dhe kohëzgjatja e saj. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohet me një rritje të ngadalshme të ekonomisë”. Sipas tij, aktiviteti financiar është mbështetur mbi financimet e brendshme. “Stabiliteti makroekonomik ka ndihmuar në ruajtjen nga pasojat e krizës”, - tha Fullani, duke shtuar se inflacioni vjetor shënoi vlera të parashikuara nga BSH-ja me rreth 3 për qind. Sipas BSH-së, ekonomia shqiptare gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2008 ka ruajtur një stabilitet ekonomik, duke u bërë dinamike dhe rezistente ndaj krizës financiare botërore.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›