KESH-i nis ti shesë energji Greqisë, ekspertët kërkojnë ndaljen e importit
Stina e bollshme me reshje shiu dhe dëbore ka bërë që Shqipëria të nisë eksportin e energjisë elektrike drejt fqinjit jugor, Greqisë. Lajmin e konfirmoi ministri i Energjetikës, Genc Ruli. Sipas tij, shitja e energjisë është bërë e mundur falë përmirësimit të situatës hidrike në vend. “Prurjet në Fierzë janë rritur shumë kohët e fundit dhe si rezultat i kësaj KESH-i do t’i shesë energji kompanisë greke tetë orë në ditë dhe sipas çmimit të bursës greke për shitjen e energjisë”, - deklaroi dje ministri Ruli. Sipas tij, duke parë çmimet e shitjes, kjo manovër rezulton shumë fitimprurëse për KESH-in. Koorporata do t’i shesë homologes së vet helene 200 megavat energji, e përafërt me konsumin 10-ditor të Shqipërisë. Sasia totale që do të tregtohet drejt vendit fqinjë do të jetë rreth 53 mijë mega vat/orë ku vetëm 26400 prej tyre janë të garantuara. Ministri Ruli foli edhe rreth negociatave me kompaninë fituese të tenderit për privatizimin e OSSH-së, nga ku pritet që kontrata të nënshkruhet brenda dy javëve të para të shkurtit. “Enti Rregullator i Energjisë po negocion me kompaninë çeke ‘CEZ’, deklaratën rregullatore, që përfshin uljen e humbjeve, rritjen e arkëtimeve si dhe mosndryshimin e tarifave të energjisë për vitin 2009’, - tha ministri Ruli. Ai shtoi gjithashtu se, “humbjet në vitin 2009 nuk mund të jenë më të mëdha se ato të vitit 2008 (parashikimi ynë është rreth 32,7%) dhe ERE ka të drejtë që këtë vit të mos ndryshojë tarifat e shitjes së energjisë te konsumatorët fundorë dhe diferencën si pasojë e kësaj ‘ngrirjeje’ të tarifave ta shpërndajë në vite”. Por ekspertët e energjetikës e konsiderojnë të pavend vendimin e KESH-it për të eksportuar energji elektrike në një kohë që vazhdon importi. Sipas tyre, në kontratat me kompanitë importuese ka një klauzolë, e cila parashikon që importi të ndalojë në momentin që furnizimi i vendit me energji mund të përballohet me prodhim vendas, ashtu siç mund të bëhet aktualisht pasi vendi është i favorizuar nga situata e mirë hidrike. Pajtim Bello, ekspert i Energjetikës, shprehet: “Ka pasur dhe ka klauzola që në periudha të caktuara, sipas gjendjes hidrike në Shqipëri, mund të ndërpritet importi i energjisë elektrike për të shtuar burimin e vendit”. Nga të dhënat e KESH-it rezulton se prodhimi vendas i energjisë llogaritet në rreth 14 milionë kilovat/orë në ditë, ndërkohë që 3.1 milionë kilovat/orë të tjerë importohet. Falë reshjeve të bollshme, koorporata ka krijuar edhe një sasi të konsiderueshme hidrike në kaskadën e Drinit, e cila do të përdoret gjatë periudhave të mëvonshme.
29 Janar 2009