Tregu shqiptar, bizneset italiane në garë me gjermanët për “zaptim” hapësirash
Zhvillimi i tregut shqiptar gjatë kohës së krizës dhe zgjerimi e lidhja e tij me atë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, është parë me interes nga shtetet më të zhvilluara europiane. Dy prej tyre, më konkretisht Italia (pretenduesja e përhershme) dhe Gjermania, janë ndër vendet më shumë të interesuara, dhe për këtë kanë shpallur edhe një garë “të heshtur”. Sipas specialistëve të gjeopolitikës dhe ekonomisë, “kjo garë konkurrence synon në faktin që nëpërmjet ekspansionit dhe ‘zaptimit’ të tregut mbarëshqiptarë në rajon, si dhe vendosjes aty të ndërmarrjeve dhe investimeve kapitaliste, këto shtete synojnë të ‘pushtojnë’ më tej të gjithë tregun e rajonit të Ballkanit me produktet e tyre”. Ekspertët vlerësojnë se kriza botërore ka bërë që prodhuesit më të mëdhenj në sektorin e makinerive të ndryshojnë interesat e tyre për tregjet. “Për kompanitë dhe bizneset italiane, sidomos të atyre të prodhimit të makinerive dhe pajisjeve, tregu i Ballkanit, edhe pse një rajon i afërt gjeografikisht, ka qenë sa i panjohur, aq dhe pa interes deri tani”, - konstatojnë ekspertët e ekonomisë rajonale. Por ata vërejnë se rënia e kërkesës për makineri së fundi në tregjet e industrializuara po nxit prodhuesit italianë që t’i drejtojnë sytë nga tregjet e Ballkanit.
Tregu shqiptar
Megjithëse shumë afër gjeografikisht krahasuar me tregje si Rusia, Brazili, apo India, për prodhuesit e mëdhenj italianë, ashtu dhe për ata gjermanë, Ballkani mbetet një treg pothuajse i panjohur. Tregu i Ballkanit, sidomos ai shqiptar, për vetë nivelin e ulët të zhvillimit të industrisë së prodhimit apo montimit të makinerive përpunuese, nuk pritet të bëhet një konsumator i madh i prodhuesve të makinerive, siç shprehen edhe vetë përfaqësuesit e këtij sektori në Itali. Por të dhënat makroekonomike në rritje të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit duket se përkthehen në një shpresë të rritjes së kërkesës nga ky treg, pikërisht në një periudhë kur vendet e zhvilluara po ulin kërkesën e tyre për shkak të vështirësive ekonomike. Të nxitur nga disa nisma të qeverisë italiane për të lehtësuar aktivitetin e prodhuesve që eksportojnë në tregje të reja, Shoqata e Ndërtuesve Italianë të Makinerive “UCIMU-sisteme”, po kërkon të njohë interesin e tregut të Ballkanit për makineri të përpunimit të metaleve. Drejtuesit e kësaj shoqate, bashkë me Institutin Italian për Tregtinë me Jashtë në Shqipëri kanë ngarkuar Institutin e Studimeve Bashkëkohore për realizimin e studimit të tregut shqiptar për këtë sektor. Tregjet me interes nga prodhuesit italianë të makinerive në rajonin tonë janë Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria. Vendi ynë rezulton të ketë nivelin më të ulët të importeve të makinerive përpunuese nga Italia, krahasuar me të gjitha vendet e sipërpërmendura, por ajo çka e rrit interesin për Shqipërinë, është se ky vend mund të përbëje një bazë nga ku mund të shërbejë për tregtinë në vendet fqinje.
Konkurrenca mes shteteve
Gjermania, e cila renditet ndër prodhuesit kryesorë të makinerive dhe robotëve të industrisë në botë, përbën edhe konkurrentin kryesor të prodhuesve italianë. Këta të fundit duket se nuk mbeten prapa në sektorin e makinerive, pasi siç vlerësohet nga shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, Gjermania është partneri kryesor i Italisë në tregtinë e këtyre pajisjeve. Por, në ndryshim nga pajisjet dhe makineritë italiane, për konsumatorin e “vështirë” ballkanas imazhi i makinerive dhe pajisjeve të forta gjermane është i ngulitur mirë në memorie dhe i provuar në terrenin e këtij rajoni. Në vlerë mesatare niveli i çmimeve për produkte të njëjta paraqitet i njëjtë ose me ndryshime të vogla, ndërkohë që prodhuesit italianë insistojnë se për nga cilësia konkurrenca mes tyre është e fortë. Sipas përfaqësuesve italianë të kësaj industrie, “ajo çka ofrojnë prodhuesit italianë më tepër se prodhues të tjerë të këtij sektori, është përmbushja e kërkesave të klientëve”. Më shumë fleksibilitet në prodhim do të thotë më shumë mundësi zgjedhjeje për klientin dhe prodhuesit italianë mendojnë se makineritë e tyre mund të jenë shumë mirë të personalizuara në bazë të nevojave të klientit.
29 Janar 2009