E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Evropa Lindore, më e prekura nga kriza

Evropa Qendrore dhe Lindore do të vuajnë veçanërisht rëndë nga kriza financiare botërore, për shkak të varësisë së tyre nga financimet që më herët i kanë ardhur nga Evropa Perëndimore, njoftoi Fondi Monetar Ndërkombëtar pas një studimi të kryer së fundmi.

Rritja ekonomike në këto vende gjatë viteve të fundit është furnizuar nga kreditë që u kanë shkuar nga fqinjët e tyre të pasur të Evropës Perëndimore, por aktualisht, këta fqinjë po kërkojnë të mbajnë paratë për vete dhe vendet e Lindjes kanë vështirësi të theksuara për rifinancimin e borxheve të veta, - thuhet në raport.

Megjithëse Shqipëria është një vend më pak i zhvilluar sesa fqinjët e vet të Evropës Lindore dhe varet më pak nga financat e fqinjëve, sërish edhe këtu është ndjerë mungesa e ofertës për borxh. Në ankandet e bonove të thesarit, oferta ka qenë shumë më pak sesa kërkesa për shumë muaj me radhë, gjë që ka detyruar Bankën e Shqipërisë të blejë borxhin e qeverisë. Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk arriti të marrë një kredi prej 250-300 milionë eurosh nga banka të huaja, për shkak se asnjë bankë nuk ofroi shumën e plotë.

"Në Evropën Lindore, shumë banka mund të tërheqin një pjesë të investimeve të tyre në titujt e borxheve që do të maturohen gjatë këtij viti dhe mund të krijohet një vakum parash prej 360 miliardë dollarësh", - thotë FMN.

Vende si Shqipëria janë nën varësinë e Evropës Perëndimore jo vetëm për rifinancimin e borxheve të veta, por edhe për shkak remitancave. Polonia, Rumania dhe Shqipëria pritet të përballen këtë vit me kthim të një pjese të konsiderueshme të emigrantëve të vet në shtëpi, pasi të kenë humbur vendet e punës në Evropën Perëndimore. Për pasojë, përveç rënies së remitancave, do të shfaqet edhe rritja e numrit të punëkërkuesve. Gj. Erebara

Buxheti 2008

Të dhënat në miliardë euro

Zëri Plani Fakti Dif
Të ardhura 2.47 2.36 -0.11
Shpenzime 2.93 2.85 -0.15
Deficiti -0.46 -0.49 +0.03



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›