Kosova, kuotë më të lartë se Shqipëria në FMN
Kuota e aksioneve dhe kontributit të Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar ka shumë gjasa të jetë më e lartë se ajo e Shqipërisë apo e Malit të Zi, bëhet e ditur nga portali informativ NewKosovoReport. Kosova do të paguajë si kuotë statusore rezervë shumën prej 59 milionë SDR. Shqipëria e ka aktualisht 48.7 milionë SDR. E Drejta Ndërkombëtare e Tërheqjes (SDR) është një monedhë llogari që përdoret nga FMN-ja. Kursi i saj i këmbimit gjatë ditëve të fundit ka qenë 0.66 dollarë për një SDR. Kuota e Kosovës do t‘i japë republikës së re 0.04 për qind të votës në Asamblenë e FMN-së dhe përcaktohet në bazë të madhësisë së ekonomisë e potencialit të rritjes, por ky është vetëm një rregull i përgjithshëm. Ajo do të duhet ta paguajë gradualisht kuotën e vet, ku në gjashtë muajt e parë pas anëtarësimit do të detyrohet të paguajë rreth 25 për qind. Kosova pritet të bëhet vendi i tretë në botë që është anëtarësuar në FMN, megjithëse nuk është ende anëtare e OKB-së. Dy vendet e tjera janë Gjermania dhe Zvicra. Në qershor Kosova pritet të anëtarësohet në Bankën Botërore dhe të fillojë të përfitojë kredi me terma të buta, të cilat do ta ndihmojnë shumë ekonominë më të vogël të Evropës të investojë dhe të zhvillohet.