E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHC në kaos, 100 nëpunës civilë pezull



Adi Shkembi / Aristir Lumezi

Komisioni i Shërbimit Civil përfshihet nga kaosi. Pas vendimit të tre anëtarëve të komisionit, për të shkarkuar kryetaren Mimoza Hysenaj, ajo ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori ku i akuzon anëtarët se kanë marrë me forcë vulën e institucionit. Komisioni i Shërbimit Civil përfshihet nga kaosi. Pas vendimit të tre anëtarëve të komisionit, për të shkarkuar kryetaren Mimoza Hysenaj, ajo ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori ku i akuzon anëtarët se kanë marrë me forcë vulën e institucionit. Nga ana e tyre, anëtarët Shahin Bistri, Kostandin Kazanxhi dhe Sajmir Mane argumentojnë se shkarkimi dhe votimi për nënkryetarin e ri është bërë konform ligjeve në fuqi.
Përplasja
Kryetarja e shkarkuar e KSHC-së, Mimoza Hysenaj tha dje në një prononcim për gazetën "Panorama" se ajo nuk ishte në dijeni të mbledhjes së 5 marsit, ku tre anëtarët votuan pro shkarkimit të saj. "Mbledhja në datën 3 nuk u zhvillua, pasi anëtarët e komisionit nuk u paraqitën, me datë 4 anëtarët e komisionit ata prishën mbledhjen, në datë 5 hynë prishën mbledhjen dhe si përfundim kanë marrë këtë vendimin me të cilin u njoha sot", tha Hysenaj. Nga ana e tyre, tre komisionerët thonë se vendimi për shkarkimin e kryetares u njoftua në mbledhjen e zakonshme ku dhe ajo mori pjesë. "Lidhur me njoftimin e mbledhjes për shkarkimin e kryetares dhe njoftimin e titullarit të ri, njoftimi është bërë në mbledhjen e datës 5 mars në orën 10:00 gjatë mbledhjes së thirrur nga ish-kryetarja. është bërë deklarimi eksplicit nga tre anëtarët, ku është thënë se do hidhet në votim legjitimiteti i kryetares, të cilin ajo nuk e la. Atëherë u bë me deklarim, u deklarua vota për shkarkimin e kryetares dhe u deklaruar ora 11 e po asaj dite për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Kjo u deklarua nga tre anëtarët", tha anëtari Kostandin Kazanxhi, i cili në mbledhjen e po asaj dite u zgjodh edhe nënkryetar i KSHC-së. Hysenaj pretendon në të njëjtën kohë se vendimi i tre anëtarëve ishte i paligjshëm, pasi ata kanë abuzuar me kolegjialitetin në vendimmarrje. "Neni 8 i ligjit e sqaron qartë se cilat janë ligjet mbi të cilat funksionon Komisioni i Shërbimit Civil. Në asnjë nen nuk thuhet se KSHC funksionon si organet kolegjiale. Kolegjialiteti funksionon vetëm gjatë vendimmarrjes së shqyrtimit të ankesave të nëpunësve civilë. Ndërsa për funksionimin e institucionit, ligji i jep kompetenca të plota kryetarit", tha kryetarja e shkarkuar. Por sipas Sajmir Manit, një prej tre anëtarëve që votoi për shkarkimin e kryetares, zgjedhjen e drejtuesit të institucionit e bëjnë pikërisht anëtarët e KSHC-së. "Ne kemi njoftuar Kuvendin dhe i kemi kërkuar mbështetje duke marrë përsipër çështjet që i kemi vetë kompetencë për t'i zgjidhur, siç është edhe shkarkimi i kryetarit", tha Mani. Hysenaj pretendon në të njëjtën kohë se nga mosmbledhja e Komisionit shumë punonjës të shërbimit civil kanë humbur të drejtën e tyre të ankimimit. "Nga mosmbledhja e komisionit për shkak të mosardhjes së anëtarëve, shumë punonjës të shërbimit civil kanë humbur të drejtën e tyre të ankimimit. Kjo është e patolerueshme", thekson drejtuesja e shkarkuar. Në vendimin e anëtarëve të KSHC-së thuhet se rreth 100 ankesave nga punonjësit e administratës nuk u është dhënë akoma zgjidhje. Në të kundërt nënkryetari i zgjedhur në mbledhjen e datës 5, Kazanxhi thotë se vetëm në mbledhjen e asaj dite janë zhvilluar 15 seanca dëgjimore. Sipas tij, vendimi i parë i komisionit është pikërisht zbatimi i një vendimi të formës së prerë të gjykatës, për të kthyer në punë në KSHC, Aida Balën, në pozicionin e arkivistes, të cilës sipas ligjit i është rikthye edhe vula e Komisionit. "Pastaj u bë votimi për zgjedhje sipas procedurës, u mor vula dhe u legjitimuan dokumentet duke u vulosur dhe duke kthyer zonjën në punë", tha Kazanxhi. Sipas tij, për këtë rast është interesuar edhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit. Nga ana e saj, Hysenaj pretendon se vula është marrë me zor dhe për këtë ajo ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori. "Unë jam njoftuar se tre komisionerë kanë marrë vulën me zor. Kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin. I kam bërë një informacion urgjent Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Topalli, dhe zotit Rusmali në lidhje me këtë ngjarje. Kam bërë kallëzim penal në prokurori për uzurpimin e vulës. Unë mblodha sekretariatin teknik për ta njohur me situatën, duke i informuar që të mos njohin asnjë shkresë apo vendim të vulosur nga këta persona", tha më tej Hysenaj.

Sajmir Mani
I gjithë procesi i shkarkimit ishte një proces i cili lidhet me paligjshmëritë e këtij institucioni. Si pasojë e veprimeve të paligjshme që bënte Mimoza Hysenaj, si kryetare, kishte bllokuar veprimtarinë e institucionit. Deklarimet janë bërë në mbledhje, ka qenë prezente dhe ajo, ku tre komisionerët kanë deklaruar votën për shkarkimin e saj.

Kostandin Kazanxhi
Komisioni vendosi me 3 vota pro ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të gjykatës. Vula u administrua, sipas ligjit, nga shumica e komisionerëve dhe u bë zgjedhja ligjore. Zgjedhja e nënkryetarit atribuon disponimin e vulës dhe që është bërë me akte dhe procesverbale. çdo procesverbal i mbledhjes së komisionit u bllokua.

Shahin Bistri
Arsyeja kryesore e shkarkimit ishte që ajo s'bëri asnjë analizë vjetore. Dy anëtarë kanë të drejtë të kërkojnë që të futen në rend të ditës, por ajo s’i ka marrë parasysh. Kemi marrë vendim që deri sa të vijë struktura e re të mos marrë njeri në punë, ajo e mori, por duhet ta merrnim ne jo ajo. Sekretarit të përgjithshëm i ka dhënë shpërblim pa vlerësim, pra ka nxjerrë disa urdhra të paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›