Çmimet e ushqimeve pësojnë një rritje të lehtë
Ndërsa temperaturat kanë nisur të ulin gradët për të sinjalizuar fundit e stinës së nxehtë, e kundërta ka ndodhur me çmimet e ushqimeve. Ato kanë nisur lehtë të ndryshojnë, por duke shënuar rritje. Disa prej ushqimeve bazë që konsumohen më së shumti në familjet shqiptare, kanë nisur të kenë një rritje të lehtë të çmimit të shitjes. Kjo kryesisht ka ndodhur me bulmetrat, perimet dhe disa nga frutat. Fundi i kësaj jave i ka gjetur çmimet në rritje. Ky fakt konfirmohet edhe nga burime pranë drejtorisë së Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas specialistëve të kësaj ministrie, rritja e kërkesës së konsumatorëve për ushqime vendase si dhe fundi i sezonit të prodhimit për disa prodhimeve bujqësore, po ndikojnë në ndryshimin e çmimit të tregtimit të ushqimeve, kryesisht atyre bujqësore.
Statistikat evidentojnë se në tregjet e shitjes me pakicë, çmimet e produkteve bujqësore (fruta-perime) prodhime vendi apo importi, janë rritur mesatarisht me rreth 2%. Ndërkohë që në pikat e shumicës prej disa ditësh, këto artikuj ruajnë nivel të ndryshueshëm çmimesh. Tendenca e rritjes së çmimit vihet re edhe në produktet e bulmetit, ku djathi i bardhe nga 380 lekë/kg, shitet 400 lekë/kg, djathi kaçkavall nga 672 lekë/kg, tregtohet 700 lekë/kg, gjalpi nga 330,8 lekë/kg, blihet me 350 lekë/kg etj.
Me çmime të stabilizuara rezultojnë artikujt e grupit mish-vezë, bënë të ditur burime të MBUMK.