E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca mbështet biznesin

Biznesi e ka cilësuar njëzëri abuziv projektligjin mbi procedurat tatimore. Kësaj radhe, përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve, Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe të Konfindustrisë kanë kërkuar që qeveria që të nisin ndryshimin e tij. Përfaqësitë e biznesit kanë kërkuar fillimisht që të ngrihet gjykata administrative, të hiqet parapagimi i gjobave në masën 15 për qind dhe apelimin e biznesit në tatime. Këto kundërshtime janë paraqitur gjatë diskutimeve të projektligjit në Komisionin kuvendor të Ekonomisë. Por kësaj radhe, përveç opozitës, disa nga kërkesat e biznesit janë mbështetur edhe nga deputetët e mazhorancës. Anëtari i Komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Blerim Çela, ka kërkuar që të hiqet parapagimi i gjobave në masën 15 për qind para apelimit, pasi kjo rëndon biznesin. Sakaq, secili nga përfaqësuesit e biznesit ka qenë i ashpër në drejtim të ankesave kundrejt qeverisë mbi hartimin e këtij projektligji. Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Xhavit Curri, është shprehur se vlerësimi tatimor që parashikohet të bëhet nga administrata në rastet kur tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratë tatimore është i padrejtë dhe cenon bashkëpunimin e shtetit me biznesin. Nga ana tjetër, Shoqata e Ndërtuesve ka ngritur shqetësimin mbi apelimin e biznesit në tatime. Pra, ky projektligj krijon mundësinë që biznesi të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit në Tatime, i cili merr të drejtat e gjykatës. Sipas Currit, mbi 90 për qind e biznesit humbet në procesin e apelimit në tatime dhe kjo procedurë nuk është në favor të tij. Kërkesat e biznesit u mbështetën nga deputetët e Partisë Socialiste. Nënkryetari i Komisionit kuvendor të Ekonomisë, Arben Malaj, pohoi se projektligji në fjalë nuk bën gjë tjetër, veçse fuqizon tatimorët për të vjelë sa më shumë të ardhura. Përmirësime të projektligjit ka dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Juristi i kësaj përfaqësie, Genc Boga, ka deklaruar se tatimorët nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në marrëveshjet mes bizneseve për borxhet që ata i kanë njëri-tjetrit. “Administratës tatimore në kuadër të këtij projektligji, i njihet ligjërisht e drejta që të thërrasë këdo që të japë shpjegime, të bëjë ekspertizë, gjë që është hapur antikushtetuese”, shprehet Boga, duke shtuar se këto janë marrëveshje që lidhen konform Kodit Civil. Po ashtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur shqetësimin mbi sekuestrimin e llogarive në banka të biznesit, me urdhër të drejtorit të drejtorisë rajonale. Sipas Bogës, dhënia e kësaj kompetence hap rrugë për abuzime. Por akoma më të ashpra kanë qenë kritikat ndaj qeverisë nga industrialistët. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka deklaruar se ligji në thelb lulëzon korrupsionin. Konfindustria ka paraqitur 44 vërejtje ndaj projektligjit në fjalë, ku sipas Buxhukut, shqetësues mbetet fakti i moskrijimit të gjykatës administrative dhe heqja e komisionit të apelimit në financa. “E drejta e ankimit në gjykatë për biznesin është kufizuar praktikisht krejtësisht nga ligji i gjobave, vetëm pasi të paguhet detyrimi i pretenduar dhe i paprovuar ligjërisht nga institucioni i fiskut, plus 15 për qind të gjobës. Biznesi në projektligj praktikisht mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, një institucion me konflikt të qartë interesi”, u shpreh Buxhuku.

Shoqata e Ndërtuesve: Cenohet partneriteti
Projektligji i procedurave tatimore është kundërshtuar dhe nga ndërtuesit. Zëvendësdrejtori ekzekutiv, Xhavit Curri, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve, është shprehur se vlerësimi tatimor që parashikohet të bëhet nga administrata në rastet kur tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratë tatimore, është i padrejtë dhe cenon bashkëpunimin e shtetit me biznesin. Nga ana tjetër, Shoqata e Ndërtuesve ka ngritur shqetësimin mbi apelimin e biznesit në tatime. Projektligji në fjalë krijon mundësinë që biznesi të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit në Tatime, i cili merr të drejtat e gjykatës. Sipas Currit, mbi 90 për qind e biznesit humbet në procesin e apelimit në tatime dhe kjo procedurë nuk është në favor të biznesit. Po ashtu, nga Shoqata e Ndërtuesve është kundërshtuar edhe neni 71, ku administrata tatimore ka të drejtë të përdorë metoda alternative për vlerësimin e detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim në rastet kur tatimpaguesi hyn në transaksione shitblerjeje me para në dorë që tejkalojnë shumën 300 000 lekë apo dhe raste të tjera. Sakaq, ndërtuesit kanë kërkuar sërish të hiqet parapagimi i gjobës në masën 15 për qind, në një kohë kur biznesi ka të drejtë të apelojë në Drejtorinë e Apelimeve në Tatime. Para ndryshimeve që i janë bërë projektligjit, apelimet biznesi i kryente në Drejtorinë e Apelimit në Ministrinë e Financave, ku kishte dhe përfaqësues nga biznesi.
Dhoma Amerikane e Tregtisë: Largon investitorët
Kundërshtimi mbi mënyrën e hartimit të projektligjit të procedurave tatimore vijnë edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Këta të fundit në një letër rekomanduese që i kanë paraqitur Parlamentit, e firmosur nga kryetari i Dhomës, Filip Bav, i kanë cilësuar disa nene antikushtetuese dhe penguese për investimet e huaja. Konkretisht, kjo përfaqësi ka ngritur shqetësimin mbi transferimin e detyrimeve dhe ndërhyrjen e administratës tatimore në marrëveshjet mes bizneseve. Pra, sipas projektligjit, administratës tatimore i njihet e drejta ligjore të thërrasë këdo të japë shpjegime, por sipas Dhomës së Tregtisë, kjo gjykohet si antikushtetuese. Dhoma Amerikane e Tregtisë shpjegon se në praktikë ndodh që detyrimi që ka një biznes ndaj një biznesi, mund të jetë i përcaktuar në një kontratë që lidhet mes tyre. Në këtë rast, tatimet marrin rolin e kreditorit-gjykatës- direkt. Dhoma Amerikane e Tregtisë propozon që të ndryshohet dhe të riformulohet “vetëm në rastet kur mospagesa është bërë me qëllim fshehje të detyrimit tatimor”. Po ashtu, neni 95 në tërësi paraqitet antikushtetues nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Për sa i përket nenit 97 të projektligjit, Dhoma Amerikane gjykon se ai do të japë efekte negative në thithjen e investimeve të huaja.
Konfindustria: Përjashton gjykatat 
Thelbi i vërejtjeve të Konfindustrisë është, sepse projektligji në fjalë vulos prishjen përfundimtare të ekuilibrit të drejtave dhe detyrimeve në marrëdhëniet shtet-biznes, në favor të institucioneve shtetërore, duke krijuar “de facto” një sistem tregu që funksionon vetëm me dy pushtete (ekzekutiv, parlament) dhe përjashton pushtetin gjyqësor. Në projektligj, sipas Konfindustrisë, nga njëra anë rriten jashtëzakonisht shumë të drejtat e institucioneve të fiskut në raport me biznesin, deri në marrjen në kundërshtim me çdo përvojë të vendeve demokratike të atributeve të plota të gjyqësorit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, e drejta e ankimit në gjykatë për bizneset është kufizuar praktikisht krejtësisht nga ligji i gjobave, vetëm pasi të paguhet detyrimi i pretenduar dhe i paprovuar ligjërisht nga institucioni i fiskut, plus 15 për qind të gjobës. Biznesi në projektligj praktikisht mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor një institucion me konflikt të qartë interesi dhe që merr plotësisht në praktikë të drejtat e gjykatës.
Dhoma e Tregtisë: Hap rrugë për abuzime të tatimorëve
Ndër problemet më të rëndësishëm konceptualë që evidentohet në projektligjin e paraqitur, sipas Dhomës së Tregtisë, është ai që ka të bëjë me nenin 68 të tij, “Vlerësimi tatimor”. Sipas Dhomës së Tregtisë, është shumë e qartë se mënyra sesi është shkruar pika 4 dhe 5 e këtij neni, cenon në mënyrë të hapur parimin bazë të administrimit bashkëkohor tatimor, atë të vetëvlerësimit dhe vetëvlerësimit të detyrimit tatimor. Në bazë të këtij parimi, çdo tatimpagues është i detyruar të vetëvlerësojë dhe të vetëdeklarojë në mënyrë të sinqertë detyrimin e tij tatimor, mbështetur në regjistrimet e mbajtura nga ana e tij. Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë kërkon që në pikën 4 të këtij neni duhet saktësuar në mënyrë shumë të qartë se një deklaratë tatimore mund të rivlerësohet vetëm në përfundim të një kontrolli tatimor në vend dhe në asnjë rast tjetër. Sipas saj, formulimi i saktë do të ishte: “Nëse në përfundim të një kontrolli tatimor në vend, administrata tatimore verën se detyrimi tatimor i deklaruar në deklaratën tatimore është i pasaktë ose tatimpaguesi nuk ka dorëzuar dhe nuk ka paguar detyrimin tatimor, ajo ka të drejtë të bëjë vlerësim tatimor”. Në të kundërt, në mënyrën sesi është formuluar kjo pikë, administratës tatimore i lihen mundësi të shumta për qëndrime abuzive dhe arbitrare. Po ashtu, sipas Dhomës së Tregtisë, projektligji i jep autoritetin drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve të miratojë rregullore për procedurat administrative të kryerjes së një vlerësimi tatimor nëpërmjet metodave alternative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›