E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD-PS, konsensus për numërimin e votave

15/12/2004  Partia Demoktratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur përfundimisht që numërimi i fletëve të votimit të mos bëhet në qendrat e votimit, por në Komisionet Zgjedhore Zonale. Në diskutim, që zgjati më shumë se katër orë, një vend të rëndësishëm kanë zënë procedurat teknike të sigurimit të transportit të kutive të votimit. Ndërsa është rënë tërësisht dakord mbi elementët e fletëve të votimit. Ideja për numërimin e fletëve të votimit në KZZ është hedhur fillimisht nga Grupi i të Urtëve pranë Presidentit dhe më pas është mbështetur nga LSI. Kjo formulë siguron transparencën para publikut, pasi fletët do të numërohen në vende të hapura, në prani të zgjedhësve dhe të medias. Kjo nënkupton dhe kufizimin e të drejtave të KQZ-së, pasi shumica e vendimeve do të merret në KZZ.

Vendimi

Komisionet Zgjedhore Zonale do të përbëhen nga disa grupe numërimi të votave që do të kenë në përbërje 7 anëtarë. Çdo grup pune do të ketë detyrë që të numërojë votat deri në 3 qendra votimi. Përbërja e këtyre grupeve me konsensusin e PD-së dhe PS-së do të jetë e njëjtë me përbërjen e KZZ-ve. Pra, partitë, që do të kenë përfaqësues në këto grupe pune, do të përcaktohen nga përqindjet që zënë forcat politike në KZZ. Përbërja e anëtarëve të grupit të numërimit përcaktohet jo më vonë se 2 orë pas mbylljes së procesit të votimit. Vendndodhja e KZZ-ve dhe KZQV-ve është kërkuar që të jetë në ndërtesa publike dhe duhet të vihen në dipozicion 20 ditë para fillimit të procesit të votimit. Përgatitja e vendit të numërimit dhe ngritja e grupeve të numërimit të votave ka sjellë debat mes anëtarëve të komisionit. Propozimeve të ekspertëve që kanë punuar me OSBE-në deputetët i kanë shtuar detyrimin për garantimin e energjisë elektrike në mënyrë të pandërprerë.

Vendimmarrja e KQZ

Gjithashtu bipartizani pranoi që vendimmarrja e cilësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të jetë vetëm në tre raste. Në shpalljen e mandateve të dala nga proporcionali, në vendimet mbi ankesat e KZZ-ve, si dhe mbi paflefshmërinë e votimeve. Kjo ka sjellë dhe qetësimin e deklaratave mes socialistëve dhe demokratëve. Pasi OSBE është shprehur përfundimisht mbi këtë pikë. "Shpallja e rezultatit të votimit për listat shumemërore për Kuvendin, vendimet lidhur me ankimimet kundër vendimeve të KZZ-së dhe KZQV-së për rezultatet e zgjedhjeve si dhe vendimet lidhur me kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve miratohen kur votojnë "pro" jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së. Vendimet e tjera merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së". Me përjashtim të rasteve të mësipërme, KQZ-ja mbledhjet janë të vlefshme kur marrin pjesë më pak se 4 anëtarë të komisionit.

Transporti

Kutitë e votimit me fletët e votimit dhe materialet e tjera dorëzohen në vendin e numërimit brenda 5 orëve nga mbyllja e votimit. Dërgimi i tyre bëhet me të njëjtin automjet, në të cilin ndodhen anëtarët e KZQ-së si dhe një punonjës i policisë, i cili ka detyrë të garantojë mosprekjen e kutive të votimit. Materialet i dorëzohen KZZ-së ose KZQV-së brenda afateve të përcaktuara nga KQZ-ja.

Qendrat e votimit

Çdo qendër votimi nuk duhet të ketë më pak se 100 votues dhe jo më e madhe se 1000. Zgjedhësit duhet të banojnë jo më shumë se 5 kilometra larg nga QV-ja. Vendndodhja e qendrës së votimit nuk do të caktohet në të njëjtën adresë me atë të zgjedhjeve të fundit, me përjashtim kur për arsye objektive kjo nuk është e mundur. Përgjegjësitë për këtë e kanë krerët e bashkive dhe komunave.

Votimi

Zgjedhësi, pas hyrjes në qendrën e votimit, paraqet çertifikatën e lindjes me fotografi, letërnjoftim ose pasaportë. Një prej anëtarëve të komisionit kontrollon të dhënat e zgjedhësit si dhe në dorën e majtë shënon me lëndën përkatëse votuesin në gishtin e dorës së majtë. Në rast se një zgjedhës tenton të votojë dy herë, pasi vërtetohet emri i tij, mbahet shënim.

Fletët e pavlefshme

Nëse shënimi në të paktën një nga fletët e votimit bëhet jashtë dhomës së fshehtë zgjedhësi nuk lejohet që ta fusë atë në kuti. Në rast se zgjedhësi kërkon një fletë të dytë, fleta e dëmtuar lihet mënjanë dhe mbahet shënim. Në asnjë rast nuk lejohet që fletët e votimit të hidhën në kuti. Një person mund të ndihmojë një zgjedhës tjetër, vetëm kur ai nuk e ka të mundur të zbatojë procedurën.

Kur në qendrën e votimit rrezikohet zhvillimi i rregullit i votimit, pezullohet procesi dhe thërriten organet e policisë së shtetit. Pas qetësimit të situatës merren masa për rifillim të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›