Memushi: Dua 2/3 e fondit të pagave
15/12/2004 Ministri i Arsimit, Luan Memushi, ka tentuar t’i japë zgjidhje grevave të arsimtarëve, duke kërkuar një rritje të ndjeshme të fondit të pagave nga Buxheti i 2005-ës. Memushi ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, për të parandaluar grevën e përgjithshme të arsimtarëve të arsimit parauniversitar, të cilët duket se e kanë marrë po aq seriozisht sa dhe kolegët e tyre universitarë. Por çmimin me të cilin Memushi ka kërkuar ndihmën e Komisionit të Ekonomisë është shumë i lartë. 1.6 miliardë lekë fond pagash. “Kjo shumë kërkohet për rritjen e pagave në sistemin parauniversitar”, ka shpjeguar Memushi. Kërkesa në fjalë bëhet në një kohë kur e gjithë shtesa në buxhet për pagat e të gjithë administratës është 2 miliardë lekë. ”Ne nuk mund t’i japim arsimit 1.6 miliardë lekë, nga 2 miliardë që është e gjithë shtesa në buxhet”, është shprehur kreu i Komisionit, Ylli Bufi. Qeveria ka parashikuar në buxhet një rritje pagash për arsimin parauniversitar në masën 850 milionë lekë ose rreth 45 për qind më pak nga kërkesat e Ministrisë së Arsimit. Ky ka qenë dhe i vetmi problem që ka ngritur ministri Memushi, i cili ka sqaruar se fondi i vënë në dispozicion për pagat e arsimtarëve, nuk mund të përmbushë kërkesat e tyre, çka do të thotë se i gjithë sistemi arsimor do të hidhet në grevë, duke i hapur një tjetër telash qeverisë në prag të Vitit të Ri. Problemet e pagave të arsimit të lartë, autonomisë së universiteteve dhe investimeve në sektorin e arsimit, janë diskutuar nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, një pjesë e të cilëve kanë kundërshtuar hapur kërkesën e ministrit Memushi. Ndërkaq shtesa e pagave nga Buxheti i Shtetit për sistemin universitar është planifikuar në masën 600 milionë lekë. Mosinteresin e shtetit për të investuar në arsim, e ka vënë në dukje dhe deputeti Bode, i cili ka kujtuar se investimet në arsim në 2005-ën janë më të ulëta në raport me GDP-në se në 2004-ën. “Buxheti i 2004-ës ka patur 3.1 për qind të GDP-së të shpenzuara për arsimin, ndërkohë që në këtë buxhet janë parashikuar vetëm 2.7 për qind të GDP–së”, ka thënë Bode. Por, Memushi ka qenë i kënaqur me vëllimin e buxhetit të arsimit në 2005-ën, duke deklaruar se ka një rritje të ndjeshme të investimeve në këtë sektor. "Rritja e investimeve është një dëshmi që arsimi do të jetë edhe për këtë vit prioritet i qeverisë, ndërsa pjesë të rëndësishme në buxhetin e arsimit, zënë dhe projektet e financuara nga donatorët e huaj", tha Memushi në kundërshtim me deklaratat e deputetit të opozitës, Ridvan Bode. Buxheti i viti 2005 parashikon që pjesën më të madhe të investimeve të sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë, do ta realizojë pushteti vendor nëpërmjet bashkive. Do të jenë ato që do të kenë të drejtën e ndërtimit të shkollave në rastin e arsimit, edhe pse në buxhet, fondi është për llogari të Ministrisë së Arsimit. Nënkryetari i Komisionit, Bode, ka patur objeksione dhe në lidhje me autonominë e universiteteve dhe ka kërkuar nga Memushi të bëhet më shumë për t’i dhënë pavarësinë financiare sistemit universitar. Për deputetin Bode, universitetet duhet të kenë të drejtë të përdorin fondet dytësore për të paguar punën e kualifikuar të punonjësve të tyre.