Ulet me 3 lekë/litër çmimi i naftës
15/12/2004 Çmimi i naftës është ulur me rreth 3 lekë për litër në tregjet shqiptare. Importuesit kanë vendosur të ulin disi marxhin maksimal të fitimit. Dje, në Tiranë, një liër naftë D2 kushtoi 95 lekë, ndërsa një litër eurodiesel kushtoi 100 lekë për litër. Ulja erdhi pas uljes së çmimit nga ARMO në 85 lekë për litër. Vetëm një ditë më parë, nafta D2 kushtonte 98 lekë/litër, ndërsa eurodiesel 100 lekë/litër. Tregjet ndërkombëtare kanë më shumë se tri muaj që kanë filluar uljen e çmimit të naftës. Në bursat ndërkombëtare, një fuçi naftë kushtoi 42 dollarë, nga rreth 55 që kushtonte gjatë kohës së krizës. Pikërisht ky ndryshim është pasqyruar si gjithmonë me shumë vonesë, edhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, në uljen e çmimit të naftës ka ndikuar edhe kursi i këmbimit të dollarit. Kështu një dollar tashmë këmbehet me 96 lekë, ndërkohë që në kohën e krizës kushtonte më shumë se 100 lekë. Të gjitha këto kanë sjellë uljen e çmimit, por jo të fitimeve të tregtarëve shqiptarë të naftës. Grosistët mësohet të kenë patur edhe një arsye tjetër për të ulur çmimin. Nafta D2 ka shumë mundësi të përdoret edhe gjatë vitit që vjen. Prodhuesi shtetëror i naftës nuk mund të përballojë dot kërkesën e tregut, por ai ka pozitat më të forta në treg. Vetëm para dy ditësh, ARMO e uli me 3 lekë çmimin e naftës D2, gjë që mund të ketë sjellë edhe uljen e çmimit nga grosistët shqiptarë të importit. Kjo ka sjellë edhe uljen e çmimit të naftës eurodiesel, që duhet theksuar se është ulur me 5 lekë/litër. Një arsye tjetër e uljes së çmimit të naftës eurodiesel është edhe ulja e kërkesës për shkak të kostos së lartë që ka përdorimi i saj.