Gjysma e tapive jepen në 2008
• Brenda këtij viti ALUIZN-i do të japë tapitë për 50 % të banesave informale.BLEDAR HOTIKjo deklaratë është bërë publike nga ana e nëndrejtorit të Përgjithshëm të ALUIZN-it, Ferdinand Shehu, në mbledhjen e djeshme të komisionit të Veprimtarive Prodhuese gjatë diskutimit të p/ligjit për ndryshime "Për legalizimin e zonave informale". Ndryshimet e reja të qeverisë të paraqitura për p/ligjin e Legalizimeve u kontestuan dje ashpër në mbledhjen e komisionit nga ana e PS-së, ish-pronarët dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Shalsi. Për më shumë se tre orë anëtarët e komisionit debatuan me nëndrejtorin e Përgjithshëm të ALUIZN-it, Ferdinand Shehu. Kryetari i komisionit, Ylli Bufi, e cilësoi si një përqendrim të madh të kompetencave të këtij institucioni, duke i marrë dhe kompetencat e pushtetit vendor. "Këto amendime e ndryshojnë në thelb ligjin "Për legalizimet". Janë ndryshime shumë thelbësore që konsistojnë në dhënien e shumë kompetencave dhe natyrisht kompetencat që i jepen ALUIZN-it i merren pushtetit vendor. Unë mund të numëroj këtu disa. Së pari është kalimi i procesit të legalizimit të shtesave të ndërtuara pa leje që merren nga njësitë vendore, të cilat kanë dhënë dhe lejen e ndërtimit për ndërtimin ku është kryer shtesa pa leje, që mund të kenë kryer dhe procedura legalizimi për këto shtesa. Së dyti, kalimi i të gjitha pagesave që lindin nga detyrimet financiare për legalizimin", deklaroi Bufi. Sipas tij, problem mbeten dhe përcaktimi i destinacionit të shtesave nga vetë ALUIZN-i, si dhe dhënia e kompetencave të ALUIZN-it për të kryer investime në infrastrukturë në nivel kombëtar. "Projektligji shkon deri atje sa barazon lejen e legalizimit me lejen e shfrytëzimit për objektet dhe shtesat pa leje", deklaroi Bufi. Numri dy i ALUIZN-it, Ferdinand Shehu hodhi poshtë këto qëndrime duke theksuar se, "këto nuk janë të vërteta". "Ne nuk japin leje shfrytëzimi, pasi ato i jep bashkia", theksoi Shehu. Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës së ish-pronarëve, Reshit Vorpsi, deklaroi se "ashtu si dhe vetë ligji edhe këto amendime për ne kanë defekte të shumta, por më kryesorja është ajo e mungesës së një fature financiare. Sot e kësaj dite ata dy ligje që janë ligje kyçe, si ai i kthimit dhe kompensimit të pronave edhe ky i legalizimeve janë ligje që nuk kanë një faturë financiare". Ndërsa nënkryetari i bashkisë, Shalsi u shpreh se, "kjo agjenci merr kompetenca që kalojnë caqet e një organi ekzekutiv, siç është edhe qëllimi për të cilin është ngritur kjo agjenci. Kjo agjenci merr përsipër që të japë lejet e ndërtimit, ndërkohë që në parimet e decentralizimit dhe të autonomisë vendore përcaktohet qartë që planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë funksione të veta". Ndërsa Shehu deklaroi se, "janë marrë vendime nga ALUIZN-i për 200 mijë ndërtime, por ende nuk kanë marrë vendime".Debatet në komision Reshit Vorpsi, ish-pronar: Ashtu si dhe vetë ligji edhe këto amendime për ne kanë defekte të shumta, por më kryesorja është ajo e mungesës së një fature financiare. Sot e kësaj dite ata dy ligje që janë ligje kyçe, si ai i kthimit dhe kompensimit të pronave edhe ky i legalizimeve janë ligje që nuk kanë një faturë financiare. E thënë më troç është kjo, ne nuk dimë çfarë kostoje ka ky operacion që po kryhet, kur marrim përsipër që titullin e pronësisë nga një pronar t'ia kalojmë dikujt tjetër që ka bërë ndërtime pa leje. Eduart Shalsi: Bashkia e Tiranës ka qenë pro procesit të legalizimit, por mënyra sesi janë hartuar dhe konceptuar ndryshimet në ligj bien ndesh së pari me Kushtetutën e Shqipërisë dhe së dyti me angazhimin që Shqipëria ka marrë, duke firmosur që në vitin 1999 kartën e autonomisë vendore dhe gjithashtu është në kundërshtim me ligjin organik. Kjo agjenci merr përsipër që të japë lejet e ndërtimit, ndërkohë që në parimet e decentralizimit dhe të autonomisë vendore përcaktohet qartë që planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë funksione të veta. Ferdinand Shehu, ALUIZN-i: ALUIZN-i nuk merr asnjë kompetencë, por bënë punën. Pra në afro 1 vit ne kemi kaluar afro 200 mijë pasuri që e kanë marrë vendimin e organit ekzekutiv siç është KRTRRSH-ja. Por gjatë këtij volumi të madh pune të gjithë këto materiale janë bërë nga agjencitë tona rajonale. Në njësitë vendore nuk ka pasur as resurse inxhinierike për të përballuar këtë volum të madh dhe as teknologji e duhur.Ylli Bufi, PS: A kemi të bëjmë me një tejkalim të kompetencave tuaja, pasi ky është thelbi i gjithë këtij debati?Ferdinand Shehu: Jo nuk marrim ndonjë kompetencë. Ne kthehemi thjesht në një organ që përballojmë këtë volum pune.Ylli Bufi, PS: Por duke kërkuar kompetenca suplementare.Ferdinand Shehu: Nuk kërkohet ndonjë kompetence suplementare. Bëhet fjalë për hartimin e gent planit, planimetrisë nuk është ndonjë kompetencë.Në fillim të procesit të vetëdeklarimit ne kemi thënë të gjitha ndërtimet informale në Republikën e Shqipërisë që nuk janë të pasqyruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë objekt i procesit të vetëdeklarimit. Pra, të gjithë kanë deklaruar dhe janë tjetër gjë ata që do të kalojnë këto filtra për t'u legalizuar.