E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të moshuarit, festë mes urimesh dhe dhuratash

Dje, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve janë organizuar një sërë aktivitetesh në qytete të ndryshme të vendit. Kështu, për 50 banorët e Qendrës Polivalente Ditore të Sarandës, 1 tetori ka qenë një festë e vërtetë. Bashkë me të moshuarit kanë qenë edhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, si drejtues të institucioneve shtetërore, shërbimit social etj. Drejtori i Qendrës Polivalente Ditore, Emilio Rexho, në fjalën e tij përshëndetëse është ndalur në punën e organizuar që bëhet prej 6 vjetësh, për t‘u krijuar mjedis social 50 të moshuarve nga qyteti dhe fshatrat përreth, të cilët janë të vetmuar për shkak të largimit në emigracion të fëmijëve të tyre, apo se përjetojnë gjendje problematike sociale, shëndetësore apo financiare. Ata marrin në këtë qendër trajtim ushqimor falas në dy vakte, përveç se u sigurohet mjedis i përshtatshëm social. Ndërkohë, në Berat Dita Ndërkombëtare kushtuar të moshuarve është shndërruar në një ditë feste për shumë pensionistë në qytetin e Beratit. Ata janë mbledhur në qendrën e tyre ditore të hapur nga dega e Kryqit të Kuq dhe kanë kaluar disa orë të gëzueshme nën shoqërinë e njëri- tjetrit. Në ditën ku propagandohet për më tepër vëmendje për moshat e treta, të moshuarit e Beratit e kanë ndier dhe këtë vit braktisjen prej shtetit dhe se të vetmet institucione që ofrojnë sado pak vëmendje për ta, janë organizatat jofitimprurëse. Për 38 të moshuarit të qendrës ditore në lagjen "Çlirim" të qytetit të Beratit, u është ofruar një drekë dhe dhurata të shumta për qendrën.

Tho.Ni./Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›