E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rumania përballet me "recesion të ashpër"

Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar thanë dje se Rumania përballet me rënie ekonomike stratosferike prej 8.5 përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë vit, bën të ditur Balkaninsight. Kreu i Misionit, Jeffrey Franks, tha se ky vend përballet me vështirësi të shumëfishta. Në gjysmën e parë të këtij viti, PPB është reduktuar sakaq me 6.2 për qind. Rumania i ka kërkuar ndihmë FMN-së dhe Komisionit Europian për të kapërcyer vështirësitë e krijuara nga kriza financiare ndërkombëtare. Dje, nëntë bankat më të rëndësishme që veprojnë në tregun rumun, ranë dakord të mos tërheqin investimet e veta nga ky vend dhe të rrisin kapitalet e investuara në Rumani, si një mënyrë për të bindur investitorët të mos largohen. Tregu bankar i Rumanisë kontrollohet nga bankat austriake, greke, italiane etj. Megjithëse zotëron rezerva të konsiderueshme valutore, Rumania është goditur rëndë nga kriza aktuale. Monedha e saj është stabilizuar me vështirësi dhe shumë ekspertë mendojnë se aftësia e këtij vendi për të shërbyer borxhin e vet të jashtëm është e dyshimtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›