E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Do të vaksinojmë 1/3 e popullsisë

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi dje se po mendohet që, për të mbrojtur popullsinë nga gripi i derrit, të mund të vaksinohet rreth një e treta e saj. Por ajo ka pohuar se ende Shqipëria nuk ka bërë ndonjë porosi konkrete për vaksinat. Madje, një ndër vështirësitë kryesore mbetet sigurimi i fondeve për blerjen e tyre, kostoja e të cilëve, për gjithë nevojat e vendit tonë, arrin në një shumë të konsiderueshme prej 10 milionë eurosh. Dhe meqenëse shpresa vdes e fundit, edhe numri një i shëndetësisë shqiptare duket se i ka varur shpresat te ndihma e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, sqaroi dje se edhe Shqipëria ka hyrë në fazën e negocimeve me kompanitë farmaceutike, të cilat po merren me prodhimin e vaksinës ndaj AH1N1. Ministrja Godo, u shpreh se ndoshta në vjeshtë vaksina do të vijë, por kjo ende nuk dihet dhe se mendohet të paktën të vaksinohet rreth 1/3 e popullsisë.

"Thuhet që në vjeshtë do ta kemi vaksinën. Praktikisht ne jemi në bisedime në mënyrë që të mbulojmë të tërë atë kontingjent popullate, ndoshta 1/3 e popullatës, ndoshta edhe më shumë, që ne mendojmë se duhen vaksinuar. Ka disa diskutime, disa bisedime të tjera që vetë laboratorët farmaceutikë do t‘i dhurojnë një numër të madh vaksinash OBSH. Ndoshta një sasi vaksine do të vijë dhe nëpërmjet OBSH-së", tha Anila Godo, pa mundur të fshehë një seri me pasiguri për këtë proces imunizimi të popullsisë shqiptare nga kërcënimi global i gripit të derrit.

Ministrja Godo garantoi më tej se edhe OBSH pritet t‘i dhurojë vendit tonë një sasi dozash të vaksinës kundër AH1N1. Këto deklarata drejtuesja e institucionit të shëndetësisë shqiptare i bëri dje gjatë një vizite në poliklinikën iraniane në Tiranë. Aty ajo ka përuruar dhe ambientin e posaçëm, ku është vendosur aparatura e radiologjisë, e cila ka kushtuar rreth 85 mijë euro, dhe do t‘u shërbejë rreth 300 mijë banorëve të Tiranës.

Përfaqësues të OBSH, nga ana tjetër, duke ju referuar qëndrimeve të kompanive më të mëdha farmaceutike në botë, pohojnë se vaksina e posaçme kundër gripit të derrit të jetë gati në fund të muajit shtator. Aktualisht një numër i madh vendesh kanë porositur sasi shumë të mëdha të Tamiflusë, e cila po përdoret si mjekim në rastet e personave të prekur nga virusi i rrezikshëm që merr jetë. Autoritetet shëndetësore shqiptare pohojnë se kanë një sasi rezervë të Tamiflusë në vend, dhe mendojnë se mund të porosisin edhe 10 mijë vaksina. Por, deri tani përdorimi i Tamiflusë nuk ka qenë shumë i domosdoshëm për rastet e evidentuara në vendin tonë, pasi ato kanë shfaqur forma të lehta të kësaj sëmundjeje. Madje vetëm dy raste janë trajtuar në izolim spitalor, të tjerët janë mbajtur në kushte shtëpie dhe e kanë përballuar gripin e derrit njëlloj si tipet e tjera të virozave të kësaj stine. Autoritetet e Shëndetit Publik kanë paralajmëruar se një formë më të ashpër ky virus pritet të ketë në muajin shtator, ku do të gërshetohet edhe me llojet e tjera të gripeve sezonale, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë i madh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›