E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i një pallati zhduk trotuarin

Gërmimet në thellësi dhe ndërhyrjet pa kriter në infrastrukturën publike për ndërtimin e pallateve buzë rrugës "zhdukin" një trotuar këmbësorësh, ndërsa bllokojnë plotësisht qarkullimin e automjeteve përgjatë saj. Punimet për ndërtimin e një godine banimi dhjetëkatëshe kanë shkaktuar shembjen e një pjese të mirë të trotuarit dhe dëmtim të rrugës në një nga akset kryesore të qytetit bregdetar të Durrësit. Nata e kaluar dhe mëngjesi i së hënës e kanë gjetur trotuarin të fundosur disa metra nën nivel, ndërsa ekspertët e policisë dhe Inspektoratit të Ndërtimit dhe Urbanistikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën, duke ndërprerë qarkullimin në të. Janë bllokuar punimet e firmës projektuese dhe zbatuese, ndërsa po hetohet për të zbardhur shkaqet e kësaj situate. Kreu i Inspektoratit të Ndërtimit dhe Urbanistikës në Durrës, i emëruar veç pak ditë më parë në këtë detyrë, Afrim Bakaj, deklaron se punimet e firmës që ka siguruar të gjitha lejet, janë bllokuar deri në përcaktimin e shkaqeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Sipas tij, dyshohet se dëmtimi i rëndë është bërë pas një ndërhyrjeje të firmës për të mbërritur te tubacioni i ujësjellësit, si dhe gërmimeve në thellësi, pasi një nga katet e godinës do të jetë nën tokë. Rruga "Mujo Ulqinaku" që lidh Pallatin e Sportit me Stadiumin e Durrësit dhe njëkohësisht një pjesë të lagjeve veriore me qendrën dhe daljen nga qyteti port është bllokuar, pasi kanë nisur punimet për riparimin e dëmtimit. Firmës do t‘i duhet që në kohë rekord të kthejë trotuarin dhe rrugën në gjendjen e mëparshme. Godina, themelet e së cilës nuk janë hedhur ende, parashikohet të përfundojë në fund të këtij viti. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut nuk bënë të ditur zyrtarisht asnjë ndalim për këtë rast që ka dëmtuar seriozisht infrastrukturën rrugore të qytetit bregdetar dhe ka shkaktuar një kaos të plotë në qarkullim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›