E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, policia arreston 106 punëtorë shqiptarë



ATHINE – Policia greke ka arrestuar dje 106 emigrantë shqiptarë që jetonin dhe punonin pa letra në vendin fqinj. Sipas mediave greke, ndalimi i shtetasve shqiptarë me qëndrim në Greqi është bërë në një operacion të gjerë të forcave të policisë, që është shtrirë në disa qytete. Shqiptarët janë akuzuar se qëndronin në mënyrë të paligjshme në territorin grek dhe për rrjedhojë, policia dhe autoritetet greke kanë vendosur t’i riatdhesojnë emigrantët në Shqipëri. Sipas medias në Greqi, operacioni i ngjashëm me aksionet e dikurshme “Fshesa” ka filluar në orën 10:00 të mbrëmjes së 22 prillit dhe më pas vazhdoi deri në orën 03:00 të mëngjesit të 23 prillit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Greqi, në këtë operacion kundër emigracionit të paligjshëm u përfshinë forca të policisë nga katër qytete të ndryshme të Greqisë Veriore në Grevenas, Kastoria, Kozanit dhe Florinas. Sipas një deklarate për shtyp të policisë greke, gjatë aksionit morën pjesë gjithsej 176 policë, të cilët kanë ushtruar kontroll në 1023 persona dhe 861 automjete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›