E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riparohet provizorisht, defekti i Bovillës



Tirana është furnizuar dje me ujë në gjithë lagjet e saj. Brigada e remontit e Ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime ka arritur dje, rreth orës 5 të mëngjesit, të mbyllë rrjedhjen e ujit në mënyrë të pakontrolluar në pusetën kryesore, ku u paraqitën probleme dy ditë më parë. Në një njoftim të Ndërmarrjes bëhet me dije se po punohet për të përgatitur një plan pune për heqjen e pajisjes së dëmtuar dhe javën e ardhshme do të bëhet dërgimi i kësaj të fundit në Itali për riparim. Deri në rregullimin e pajisjes në pusetën kryesore, që bën shpërndarjen e rrjetit të ujit në 60% të Tiranës, është vendosur një pajisje provizore në mënyrë që të mos ndërpritet furnizimi me ujë i qytetarëve. Problemi me pusetën kryesore të shpërndarjes së ujit të impiantit të Bovillës nisi dy ditë më parë, kur gjatë një rikonstruksioni, valvulat e avarisë nuk kanë funksionuar dhe për efekt ka filluar derdhja e pavullnetshme e ujit. Zonat që u prekën për pak kohë nga ndërprerja e furnizimit me ujë ishin disa lagje kryesore si Qendra, Lapraka, Kinostudio, Selvia apo dhe më gjerë, që përfshinte plot 60% të kryeqytetit. Rikonstruksioni në pusetë ishte pjesë e punës rutinë që bëhet nga ana e Ujësjellësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›