Kriza greke nën vëzhgimin e BB, frikë për shtrirjen në rajon
Kriza greke mund të zgjerohet në rajon. Kjo ka detyruar Bankën Botërore që të ndjekë nga afër zhvillimet në Greqi, për të identifikuar risqet e ndikimeve në tregti dhe sistemin bankar të vendeve fqinje, të cilat tashmë janë goditur nga kriza globale financiare. “Jemi duke monitoruar situatën në Greqi shumë afër sepse ka një sërë lidhjesh të rëndësishme me disa nga vendet në rajon”, u shpreh zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Philippe Le Houerou, në një konferencë për shtyp gjatë takimit të FMN-së dhe BB-së në Washington. Problemi i borxhit detyroi Greqinë që t’i bënte apel partnerëve evropianë dhe FMN-së për një hua emergjente. Por lidhur me ndihmën, Le Houerou tha për “Reuters” se Banka Botërore aktualisht nuk po planifikon ndonjë ndihmë për Greqinë, për të ndihmuar në programet sociale. “është ende herët për bankën që të marrë parasysh një përfshirje direket”, tha ai. Ai u shpreh se bankat greke janë aktive në Ballkan dhe ndonjë zhvillim negativ mund të ndikojë në ekonomitë e këtyre vendeve. Problemet në Greqi mund të reduktojnë remitancat e emigrantëve që çohen në ekonomitë e vendeve të rajonit siç është Shqipëria, nëse kompanitë pakësojnë punonjësit. Banka Botërore nuk ka ndonjë program në Greqi, anëtare e eurozonës, por është e shqetësuar për një rënie të tregtrisë dhe remitancave, të cilat mund të shfaqen në tregjet e vendeve të rajonit. Banka Botërore ka dhënë hua të konsiderueshme për të ndihmuar tregjet e vendeve në zhvillim në Evropë dhe Azinë Qendrore, duke rritur huadhënien në 60%, 12.5 miliardë dollarë në 2009-ën.