“Orgji” me vajzën, tre në gjyq
Tre të rinj, të cilët kanë mbajtur “peng” në një banesë në “Kombinat” të Tiranës një vajzë 15-vjeçare pasi e kishin rrëmbyer atë, dërgohen në gjyq me akuzën e “veprimeve të turpshme”. Dosja penale për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur në fillim të këtij viti, është dorëzuar pak ditë më parë në gjykatë, pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria. Organi i akuzës ka marrë të pandehur shtetasit Jah Metaliaj, Saimir Prenga dhe Taulant Necaj me akuzën se e kanë mbajtur vajzën për dy ditë me radhë, duke kryer marrëdhënie seksuale me të nën efektin e konsumimit të hashashit. Krimi ka ndodhur pasi tre të rinjtë, duke lëvizur me automjetin me targa TR 12 51 I në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, kanë marrë me dhunë në makinë vajzën 15-vjeçare, të cilën e kanë transportuar në një banesë në lagjen “Kombinat”. Edhe pse ka kundërshtuar, vajza është mbajtur në këtë banesë për dy ditë nga tre të rinjtë, duke tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale ndërsa konsumonin lëndë narkotike hashash. Prokuroria tha se, edhe pse kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren, tre të rinjtë Saimir Prenga, 19 vjeç, Jah Metalia 24 vjeç dhe Taulant Neçaj 19 vjeç, nuk ia kanë arritur qëllimit, pasi vajza vazhdimisht ka refuzuar, duke bërë edhe rezistencë fizike. Rrjedhimisht tre të rinjtë kanë filluar argëtimet seksuale ndaj të miturës, duke kryer veprime të turpshme ndaj saj. Sinjalizimet e para për ngjarjen policia i ka marrë pas njoftimit të familjes se vajzës për mungesën e saj 2-ditore në shtëpi. Pas kërkimeve në rrugë operative, policia ka lokalizuar banesën ku po mbahej vajza dhe menjëherë ka kryer ndërhyrjen, duke vënë në pranga tre të rinjtë. Ata nuk i kanë pranuar akuzat, duke thënë se nuk kishin ushtruar dhunë ndaj vajzës dhe nuk e kishin detyruar atë, megjithatë veprimet e turpshme janë dëshmuar nga 15-vjeçarja, e cila është marrë në pyetje në polici e më pas në prokurori në lidhje me ngjarjen. Policia e referoi çështjen në prokurori me disa akuza për “heqje të paligjshme të lirisë”, “marrëdhënie seksuale me të mitur mbetur në tentativë” dhe “prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, por pas analizimit të provave, prokuroria ka kualifikuar veprën penale si “veprime të turpshme”, duke shfuqizuar akuzat tjera. Në përfundim të hetimeve dosja penale është depozituar në gjykatë, ku pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor.
Policia gjeti drogë në banesë
Ashtu siç pohonte vajza në dëshminë e dhënë në polici, ku ka treguar se tre të rinjtë konsumonin drogë e më pas tentonin të abuzonin seksualisht ndaj saj, hetuesit thanë se kanë provuar këtë fakt me lëndën narkotike që u gjet në banesën ku qëndruan tre të rinjtë me 15-vjeçaren. Sipas procesverbalit, në këtë banesë gjatë arrestimit të tre të rinjve u gjet dhe u bllokua 38.4 gramë “Cannabis Sattiva”.
Të pandehurit
Saimir Prenga 19 vjeç
Jah Metalia 24 vjeç
Taulant Neçaj 19 vjeç
AKUZA: Veprime të turpshme në bashkëpunim ndaj një vajze 15-vjeçare