E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan vajzën, 40 vjet burg autorëve



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda deklaroi fajtorë dhe dënoi me një total prej 40 vjetësh burg katër persona të akuzuar për trafikimin e një femre për prostitucion. Vendimi u shpall pak ditë më parë nga togat e zeza të kësaj gjykatë. Pas 42 seancash, gjykata i dha fund shqyrtimit gjyqësor të dosjes në ngarkim të të pandehurve Agim Hoxha, Alket Rushiti, Ervin Prenci dhe Gjergji Xheraku. Sipas vendimit, gjykata cilësoi të provuar akuzën e prokurorisë ndaj të pandehurve dhe në përfundim vendosi deklarimin e tyre fajtorë dhe dënimin me nga 10 vjet burg për secilin. Katër të pandehurit e kësaj dosjeje akuzoheshin sipas prokurorisë për “trafikim të femrave për prostitucion” në dëm të një vajzë nga Dibra në vitin 2002. Sipas kërkesës për gjykim, vajza është marrë nga vendlindja e saj dhe është mbajtur në Durrës, ku të akuzuarit kanë dashur ta shesin te njëri-tjetri, duke e këmbyer me një makinë “Mercedes Benz”. Ndërkohë që po sipas prokurorisë, e dëmtuara është marrë në këmbim të 150 mijë lekëve. Sipas akuzës, vajza është shfrytëzuar më pas për prostitucion në rrethinat e Durrësit. Gjatë kësaj kohë ajo ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar të abortojë. Dosja në ngarkim të katër të akuzuarve të kësaj çështjeje ka “shëtitur” nëpër disa shkallë të gjyqësorit. Pesë vjet më parë ata u përballën me gjykatën, që në përfundim i dënoi me një total prej 64-vjetësh burg. Ndërkohë që në vijim Gjykata e Lartë, e ktheu çështjen në rigjykim në shkallët më të ulëta për rigjykim. Pas edhe disa “ecejakesh” për çështje kompetence, në 18 dhjetor 2008, nisi rigjykimi i saj në Gjykatën për Krimet e Rënda. Po në dhjetor 2008 gjykata vendoi lirimin e të pandehurve nga masa shtrënguese “arrest me burg”, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›