E Diel, 1 Nëntor 2026

“Urdhri i Farmacistëve shkel ligjin, licencat i jep vetëm QKL”



Abuzimet e Urdhrit të Farmacistëve në lidhje me kriteret e licencimit janë vënë në qendër të kritikave të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë një konference për shtyp dje zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia ka akuzuar për shkelje të ligjit nga ana e Urdhrit duke theksuar se licencimi është një e drejtë që ligji ia delegon Qendrës Kombëtare të Lincensimit. “Prej kohësh kemi dëgjuar në media deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve se ata kanë për detyrë dhënien e licencave. E theksoj, kjo kompetencë i takon vetëm Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe kjo është vendosur në një vendim të Këshillit të Ministrave. Ndaj këto deklarata janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Spahia. Ai ju është drejtuar farmacistëve që duan të licencohen për ushtrimin e aktivitetit privat, të mos marrin për bazë urdhrat e dala nga Urdhri i Farmacistëve. çështja e licencimeve është përfolur shpesh nga instancat e përfshira në zinxhir siç janë ministria, QKL-ja apo Urdhri, por në këtë rast Ministria e Shëndetësisë ka vendosur t’i japë fund pikëpyetjeve të farmacistëve se ku duhet të drejtohen për të marrë lejen e ushtrimit të aktivitetit. Nga ana tjetër zëvendësministri i Shëndetësisë gjatë konferencës së djeshme ka prekur edhe çështjen e anëtarësimit të farmacistëve pranë urdhrit. “Prej kohësh në Ministri vijnë ankesa nga farmacistët për zvarritjet që ju bën Urdhri për anëtarësimin pranë këtij subjekti”, ka informuar Spahia. Ai vuri në dukje se mënyra sesi vepron Urdhri është e gabuar dhe se për t’u bërë anëtar i tij nuk ka ndonjë kriter të veçantë përveçse të jesh shtetas shqiptar dhe të jesh diplomuar për farmaci e sigurisht që duhet të jesh edhe i punësuar në këtë sektor. Ndërkohë që nëse i referohemi edhe ueb-it të Urdhrit të Farmacistëve kërkesat për anëtarësim janë të thjeshta që përfshijnë një kërkesë, vetëdeklarim, diplomë, kontratë punësimi, fotokopje e licencës e me radhë, por që nga ana e farmacistëve është ngritur shqetësimi që anëtarësimi zvarritet pa fund. Në këtë kuadër zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia i bëri thirrje gjithë farmacistëve që të denoncojnë pranë organeve ligjore çdo rast zvarritjeje pa shkak që hasin tek Urdhri i Farmacistëve për t’i dhënë fund në këtë mënyrë edhe abuzimeve nëse ka të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›