Kontrolli i Shtetit zbarkon në spitalin “Nënë Tereza”
Që prej disa ditësh 5 specialistëve të auditit u janë vënë në dispozicion dy zyra brenda ambienteve të drejtorisë së spitalit. “Aktualisht, është dorëzuar dokumentacioni nga zyra juridike e spitalit, ajo ekonomike dhe drejtoritë e tjera. Gjithashtu, janë depozituar edhe kartelat klinike, baza e të dhënave për blerjen e ilaçeve dhe furnizimin e farmacive”, bëjnë me dije burime nga KLSH. Sipas tyre, afati për përfundimin e raportit final do të jetë data 15 dhjetor. “Brenda kësaj date do të evidentojmë me detaje nëse janë bërë apo jo shkelje”, pohojnë burimet. Ata bëjnë me dije se objekt i kontrollit do të jetë kryesisht periudha, në të cilën drejtor i QSUT-së ka qenë Mati Pepa. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë pohon zyrtarisht se nga ana e saj nuk do të ketë kontrolle. “Ekspertët e KLSH, do të kryejnë auditin, ministria dhe spitali “Nënë Tereza”, thjesht kanë bërë kërkesën që të bëhet ky kontroll”, deklaron Ministria e Shëndetësisë. Kjo kërkesë erdhi pas gjetjes së disa stoqeve me barna në ambientet e spitalit, në kohën kur prej disa muajsh QSU përballej me një krizë të thellë. Objekt i auditit do të jenë edhe procedurat e punësimit në administratë. Sipas të dhënave nga drejtoria e QSU, vetëm në vitin e fundit ka një fryrje me rreth 140 punonjës. Drejtoria do të nisë edhe një studim për të parë se ku janë nevojat më të mëdha për mjekë, sipas kërkesave të patologjive të ndryshme dhe në bazë të tij, do të shihet nëse ka tepri apo nevoja. Ndërkaq, për të minimizuar ryshfetin e bluzave të bardha do të rishitet mënyra e përdorimit të së ardhurave dytësore. z.ll