E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat dhe pensionet rriten më 1 korrik, qeveria kundërshton FMN-në

Rritja e premtuar do të jetë më e lartë se niveli i inflacionit. Në 4 vite do të dyfishohen pagat dhe pensionet e ulëta

e kemi deklaruar edhe më parë se do të rrisin pagat dhe pensionet me ritme të larta, prandaj për 4 vitet në vijim do të dyfishojmë pagat dhe pensionet e ulëta”, - ka deklaruar kreu i Financave, Bode. Ai ka vijuar më tej duke thënë se “më 1 korrik do të kemi dhe rritjen e radhës, që do të jetë më e lartë se inflacioni, pasi ne vazhdojmë të jemi në mbështetje të konsumatorit”. Pa marrë fare parasysh vendimet dhe rekomandimet e FMN-së, të bëra nga përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Gerwin Bell, vetëm një ditë më parë, qeveria shqiptare ka nxituar që të proklamojë iniciativën e saj. Një gjë e tillë, edhe pse nuk do ta kënaqë FMN-në, do të gëzojë pa dyshim armatën e madhe të punonjësve buxhetorë që punojnë në administratën publike, e që si mundësi të vetme për të përballur inflacionin e lartë dhe krizën e çmimeve në vend kanë vetëm pagën e tyre mujore.

Inflacioni

Me vendimin më të fundit për një shtesë të re të pagave dhe pensioneve, qeveria shqiptare dhe ministria e Financave, duket se nuk kanë frikë nga niveli i lartë i inflacionit në vend. Kjo të paktën për shefin e Financave, i cili ka thënë dje se Shqipëria nuk rrezikohet nga kriza ekonomike, pasi norma e inflacionit në vend është mbajtur dukshëm ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Për këtë arsye ministri i Financave ka thënë se, “kjo rritje e re e pagave dhe pensioneve që do të nisë në korrik jo vetëm që nuk do të stimulojë inflacionin e mëtejshëm, por përkundrazi do të ruajë të paprekur fuqinë blerëse të qytetarëve të kategorisë së mesme, si promotor kryesor i rritjes ekonomike në vend”. Ky vendim i qeverisë do të mbahet mend edhe si i pari i nisjes së një epoke të re, asaj të menaxhimit të financave të shtetit jashtë mbikëqyrjes së rreptë të ndërkombëtarëve dhe në mënyrë të veçantë të FMN-së.

Rekomandimet

Me gjithë përpjekjet e deritanishme të qeverisë shqiptare për të qenë e pavarur në vendimmarrjet e saj, kryesisht financiare, FMN-ja ka reaguar disa herë dhe ashpër, duke dhënë rekomandime të forta. Por, me gjithë rekomandimet, në disa raste qeveria shqiptare ka bërë “rezistencë” përballë Fondit, e madje në disa raste nuk ka zbatuar pikat e marrëveshjeve. Kështu, qeveria premtoi se do të vijonte të mbante inflacion të ulët dhe deficit buxhetor në nivelin 4 për qind, duke filluar nga viti 2009, por edhe këtë vit ajo e rriti deficitin në 8 për qind, ndërsa FMN nuk bëri rezistencë. Marrëveshja aktuale me FMN-në u nënshkrua me këmbënguljen e Fondit, por duket se nuk dha ndonjë rezultat pozitiv, kryesisht për shkak se në ndryshim nga vitet e shkuara pati humbur mekanizmi i presionit. Deri në vitin 2004 marrëveshja me institucionet financiare ndërkombëtare qe reforma në këmbim të kredive me interes të ulët. Nëse qeveria nuk bindej për reformat, ajo nuk përfitonte kredi. Por pas këtij viti, Shqipëria doli nga lista e vendeve që mund të përfitonin kredi të buta, e për pasojë, FMN-ë nuk mundi të kundërshtonte reformat e qeverisë. Në dhjetor të vitit 2005, fondi kërkoi nga qeveria vendosjen e TVSH-së për ndërtimin, por qeveria e refuzoi kërkesën. FMN kritikoi fillimisht edhe taksën e sheshtë, por këshillat e saj ranë në vesh të shurdhët, ndërsa burokratët e fondit nuk kishin asgjë në dorë për të bërë.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›