E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i naftës vazhdon rritjen në Shqipëri, lë pas dhe benzinën



Për herë të parë në tregun tonë të karburanteve, çmimi i naftës e ka kaluar atë të benzinës. Në disa pika karburantesh në kryeqytet, nafta e cilësisë së parë e njohur ndryshe si euro-dizel që përdoret edhe më masivisht, është shitur me 155 lekë për litër, duke lënë prapa benzinës që është tregtuar me 153 lekë për litër. Kjo është rritja e dytë që pësoi çmimi i naftës brenda një jave. Pak ditë më parë, çmimi i karburanteve u rrit me 5 lekë për litër, ndërkohë që tani tregu është përfshirë nga një valë e dytë rritje, që ka prekur vetëm euro-dizelin. Ky i fundit është rritur nga 153 lekë për litër në 155 lekë për litër. Importuesit e karburanteve e justifikojnë këtë rritje të çmimeve me ecurinë e bursave ndërkombëtare, në të cilat ari i zi ka arritur nivelet rekord. Por ky argument e shpjegon situatën vetëm pjesërisht dhe justifikon vetëm rritjen e një jave më parë. Por gjithsesi mbetet i çuditshëm fakti që çmimi i naftës të rritet brenda pak ditësh për herë të dytë, madje në atë masë sa të tejkalojë edhe benzinën.

Shqipëria, mundësi për zhvillimin e turizmit lundrues

Për herë të parë edhe Shqipëria mund të promovojë turizmin e saj detar me anë të barkave me vela dhe jahteve. Për këtë qëllim është krijuar Shoqata e Nautikës Shqiptare, e cila është fryt i bashkëpunimit të Dhomës së Tregtisë në Vlorë dhe “Assonautikës” italiane. Drejtues të kësaj shoqate në emër të zhvillimit të turizmit sipas standardeve europiane kërkojnë shfuqizimin përpara afatit të ligjit të moratoriumeve të mjeteve lundruese me motor, i cili ndalon përdorimin e tyre në det deri më 3 prill të vitit 2009. Shoqata e Nautikës Shqiptare pritet t'i propozojë Parlamentit një projektligj që synon ta shndërrojë turizmin detar në një nga pikat më të forta të Shqipërisë, duke iu përafruar standardeve europiane. Pjesë e kësaj shoqate janë Dhomat e Tregtisë të qytetit të Durrësit dhe të Lezhës, Fakulteti i Inxhinierisë Navale në Vlorë si dhe portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe të Lezhës. Promovimi i turizmit detar nga shoqatat e nautikës është një praktikë e njohur në Itali që prej vitit 1971, si dhe në të gjitha vendet bregdetare të rajonit.

Vodafone Albania, bursa pasuniversitare për studentët shqiptarë në Athinë

Vodafone Albania do të akordojë një bursë të plotë për programin 1-vjeçar të masterit në Informacion dhe Teknologji Telekomunikacioni. Vodafone Albania përmes kësaj iniciative kërkon t’u ofrojë mundësi specializimi në fushën e telekomunikacionit studentëve më të mirë shqiptarë. Studentët të cilët do të përzgjidhen për të vazhduar studimet në Greqi, duhet të jenë të gatshëm që pas mbarimit të studimeve të kthehen në Shqipëri, dhe sipas aftësive dhe nevojave profesionale të jenë të gatshëm të punojnë në Vodafone Albania. Programi i Masterit pranë AIT-it synon t’u ofrojë studentëve njohuri rreth zhvillimeve më të fundit të teknologjisë si dhe praktikat më të mira në menaxhim biznesi në sektorin e teknologjisë së informacionit në telekomunikacion. Kandidatët do të përzgjidhen në bazë të rezultateve të tyre akademike, testit të gjuhës angleze, referencave dhe esesë së motivimit. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 30 qershor 2008.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›