E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria do të përfitojë 304 milionë euro për projektet e infrastrukturës

Ministrat e Financave të shteteve të BE-së miratojnë fondin. Mbi 1 bilion euro investime për vendet e Ballkanit Perëndimor

Ervin Koçi

Bashkimi Europian ka vendosur që të “zgjidhë qesen” për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vendosur që t’u akordojë një sasi të konsiderueshme parash, kryesisht për zhvillimin ekonomik. Takimi i dy ditëve më parë i ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel ka rezultuar me një axhendë të ngjeshur, në qendër të së cilës ka qenë forcimi i investimeve në infrastrukturë për Ballkanin Perëndimor. Krerët e Financës në Bashkimin Europian ranë dakord për ndihmën financiare, e cila do të kapë shifrën prej 1 bilion eurosh, ose 1,55 bilionë dollarë, në formën e sistemit të lehtësuar të huadhënies nga Banka Europiane e Investimeve dhe të tjera institucione financiare ndërkombëtare. Politikat e Bashkimit Europian janë të fokusuara në drejtim të mbështetjes së projekteve për ndërtimin e rrugëve, por shpreson që të financojë në vitet e ardhshme edhe bizneset e vogla dhe të mesme rajonale. Që prej vitit 1995, Banka Europiane e Investimeve me qendër në Luksemburg ka dhënë në formën e granteve një shifër prej 2,5 bilionë eurosh në total për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Bankës, më shumë se gjysma e kësaj sasie parash është shpenzuar kryesisht për financimin e projekteve në sektorin e transporteve.

Përfitimi i Shqipërisë

Do të jenë rreth 304 milionë euro sasia e parave që do të jepen si ndihmë financiare nga ana e BE-së në formën e huas për Shqipërinë. Këto para janë të destinuara kryesisht për infrastrukturën dhe projektet në zhvillimin e sistemit rrugor të vendit dhe në rindërtimin e korridoreve lidhëse ndër-rajonale. Shqipëria është një vend me të ardhura mesatare, si dhe me të ardhura bruto për frymë prej 2,970 dollarësh, ose 2,103 euro. Ekonomia e vendit ka filluar të rritet me një mesatare vjetore prej 6 përqindësh që nga viti 1999, pavarësisht tronditjeve të tranzicionit nga sistem i mëparshëm drejt një ekonomie tregu. Serbia është vendi që ka përfituar më shumë nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, nga këto ndihma financiare, me rreth 1,2 bilionë euro që prej vitit 2000, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 754 milionë euro dhe nga Shqipëria me 304 milionë euro.

Projektet e tjera

Deri tani Shqipëria e ka mbajtur shumë të ulët normën mesatare të inflacionit prej 2.4 përqindësh në vitin 2005, 2.36 për qind në 2006-n, por për muajt e parë të vitit 2008 norma e inflacionit tejkaloi parashikimet e Bankës së Shqipërisë kur arriti në fund të muajit mars në shifrën 4,6 për qind. Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), krahu i kredive të buta të bankës, do ta mbështesë Shqipërinë deri në 86 milionë dollarë dhe Banka Botërore do të sigurojë deri në 110 milionë dollarë të tjerë gjatë vitit 2009. Banka Botërore sapo ka nisur projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës me një kosto totale në 55 milionë dollarë, ku kjo bankë financon 35 milionë dollarë, agjencia suedeze për Zhvillim Ndërkombëtare (SIDA), 4.5 milionë dollarë, Japonia 1.54 milionë dollarë dhe pjesa e mbetur financohet nga qeveria qendrore dhe lokale shqiptare.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›